Le të bëhem unë i keqi…’, Macron sqaron pse refuzoi negociatat dhe si do veprohet

05.12.2019 16:27:20

Presidenti Emmanuel Macron i është rikthyer temës së anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ai shprehet se Franca nuk ka qenë kundër zgjerimit të mëtejshëm të Europës, por shtoi se nuk janë plotësuar ende kushtet.

“Le të bëhem unë i keqi në këtë çështje, nuk ka problem, e marr unë këtë rol. Nuk ishte Franca që është kundra zgjerimit të mëtejshëm të Europës, nuk më vjen mirë kur e dëgjoj këtë , ndaj marr përsipër të gjitha përgjegjësitë sepse mendoj se ne nuk jemi gati dhe kushtet nuk ishin përmbushur. Do të ju shpjegoj përse”, shprehet ai.

Macron vlerësoi përpjekjet e kryera nga Maqedonia e Veriut, si dhe shprehet se përpara hapjeve të negociatave dëshiron që si fillim të reformojë procedurën e negociimit.

Së pari mendoj se procedura e anëtarësimit në BE është një procedurë tejet burokratike, shumë konfuze dhe e palexueshme. E pakthyeshme por njëkohësisht e papërshtatshme për vendet në fazë negocimi. Pyesni serbët, a ndryshon jeta e tyre sa herë hapin një kapitull nga kapitulli i negociatave? Jo. Njoh plotësisht dhe qartësisht përpjekjet e bëra nga Maqedonia e Veriut, përfshirë edhe nderimin e emrit që ishte një gjest kurajoz. Por, përpara çdo hapje të re negociatash dëshiroj që fillimisht të reformojmë procedurën tonë të negociimit, e cila duhet të jetë individuale dhe e kthyeshme. Që të jetë më tepër politike e të mund të shoqërohet në fazën e paternitetit strategjik me investime direkte”, ka thënë shefi i Elizesë.

Macron shtoi se qëllimi i Ballkanit është të tërheq të gjithë rajonin në BE e tha se Europa duhet të investojë në këto vende .