Le të jetë e qartë: ata që duan ta destablizojnë vendin, u shkojnë për shtat Serbisë dhe aleatëve të saj!

26.08.2016 18:08:52

Nga Rexhep Kastrati

Para disa ditësh ishte Visar Ymeri ai që paralajmëroi “trimëri” në protestën që do të mbahet më një shtator, pastaj vazhdoi Donika Kadaj – Bujupi që kërcënoi me destabilizimin e vendit, kurse sot ishte Zafa,njeri që me mbi 1000 militantë bëri gjithçka për ta sjellë Ramadan Mujën në pushtet, që kërcënoi vendin dhe rajonin. Edhe e ashtuquajtura Lidhje e Historianëve, përkatësisht dega e saj në Deçan, nuk ka mbetur mbrapa: ajo shpalli që tash tradhtarë kuvendarët që do të votojnë marrëveshjen për demarkacion, ani që mund të jetë e nesërmja që do t’i shpallë ata tradhtarë për angazhimet e tyre kundërshtetërore. Po ashtu, ndodhi edhe sulmi i dytë mbi Kuvendin e Kosovës, dhe një sulm edhe në RTK, përgjegjësinë për të cilat e morën të ashtuquajturit “rugovasit”, që nuk dihet pjellë e kujt janë. Dhe gjithë këto kërcënime e sulme po bëhen në kohën kur kanë mbetur edhe pak ditë nga seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, duke e bërë të qartë sesa shumë angazhime ka për të pamundësuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëdësishme dhe shumë të domosdoshme për Kosovën dhe për pozitën e saj ndërkombëtare.

Po pse gjithë këto angazhime? Pse kaq shumë kërcënime me destabilizim edhe të rajonit, pra jo vetëm të vendit për një marrëveshje që ka mbështetjen e SHBA-ve, të Gjermanisë, të Britanisë së Madhe dhe të BE-së? Të jetë vallë dhembshuria për territorin e supozuar të humbur, apo ka diçka tjetër? Kur të kihet parasysh ai mal argumentesh që ka ofruar Komisioni Shtetëror për shenjëzimin e kufirit, përfshirë edhe listën  me kërkesa të banorëve të asaj ane, nuk del që të jetë dhembshuria për territorin. Shumë e lidhin me Gjykatën Speciale, që mund të jetë një nga arsyet, por ka edhe arsye të tjera. Dhe kur bëhet fjalë për Gjykatën speciale, duhet thënë se mundësia që kjo Gjykatë të trajtojë krimet e luftës në një dimesnion më të gjerë, edhe ka shkaktuar frikën e zbardhjes së krimeve të strukturave mafiozo-politike ndaj shqiptarëve, si dhe vrasjen e shqiptarëve nga shqipfolës. Dhe kur bëhet fjalë për këto, duhet thënë se mund të dalë se janë dhunuar fenra shqiptare nga shqiptarët, se janë vrarë komandantë, ushtarë, politikanë e gazetarë nga shqiptarët, e mund të jenë bërë dosje nga shokët për shokët. Pra, kur bëhet fjalë për Gjykatën speciale, mund të ketë dyshime apo frikë se kjo gjykatë, mund të zbardhë edhe disa vrasje politike, edhe disa vrasje mes shokësh, edhe shumë dhunime të kryera ndaj femrave shqiptare.

Një arsye tjetër është edhe fakti se një pjesë e madhe e politikës shqiptare në Kosovë kontrollohet nga agjentura të ndryshme, të cilat janë të interesuara të realizojnë interesat strategjike të shteteve të tyre. Kështu, tashmë mund të thuhet hapur se heshtja e ambasadorit francez dhe atij italian gjatë tërë kohës së angazhimeve të dhunshme në Kosovë, edhe gjatë debatit për marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, tregon se shtetet e tyre janë të interesuara që kjo marrëveshje të mos kalojë dhe që Kosova të destabilizohet. Dhe kjo ka ndodhur dhe po ndodh nëdrkohë që SHBA-të, Gjermania dhe Britania e Madhe me më rezereva, i kanë dhënë mbështetje të plotë Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, kurse në këtë drejtim ishte edhe angazhimi personal i zëvedëspresidentit amerikan Xho Bajden, që demarkacioni të kalojë, dhe në shenjë pakënaqësie dhe mosmiratimi të politikave dhe angazhimeve të opozitës, ai nuk i takoi fare përfaqësuesit të tyre. Kjo do të thotë se opozita në radhë të parë, është nën kontrollin e francëzëve dhe të italianëve, të cilët më tej kanë një aleancë të vazhdueshme me Serbinë. Këtë e ka konfirmuar edhe Albin Kurti, i cili një portali francez për politikë të jashtme i ka thënë se vendet e QUIN-it nuk janlë pesë, por dy, vetëm SHBA dhe Gjermania, duke bërë të qartë kështu se ai nuk është më këto, për është me francezët dhe italianët, dhe se këta të fundit udhëheqin politika të ndryshme nga ato të SHBA-ve.

Një tjetër arsye mund të jetë edhe fakti se në mesin e politikës shqiptare ka shumë rekrutë shërbimesh sekrete serbe, ruse, dhe shërbimesh të tjera kundërshqiptare. Kjo është bërë e qartë edhe nga akuzat që ia kanë bërë shokët apo ish-shokët njëri-tjetrit në polemikat e tyre publike. Dhe është ky kontigjent i njerëzve politikë, të cilët realizojnë politika, skenarë dhe strategji të shteteve të cilave u shërbejnë. Në këtë drejtim, duhet thënë se mosratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi është interes i Serbisë, i Rusisë dhe i shteteve tëtyre aleate, sepse në këtë mënyrë vendi hyn në një cikël të ri krize institucionale, në një krizë marrëdhënesh me SHBA-të dhe BE-në. Me fjalë të tjera, do të hapej rruga për destabilizim të vendit, e që po ashtu është interes i Serbisë dhe i aleatëve të saj. Po ashtu, me rënien e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, do të binte edhe parimi kadastral në bazë të të cilit është realizuar demarkacioni, dhe do t’i hapej rruga parimeve të tjera, nga të cila përfiton Serbia, por jo Kosova. Një arsye tjetër pse Serbia dhe aleatët e saj janë të interesuara për të mos kaluar Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ka të bëjë me faktin se Serbia ka synuar vazhdimisht ta destabilizojë rajonin dhe të rihapë çështjen e kufijve në rajon. Në një rast të tillë, Kosova dhe shqiptarët në rajon do të humbisnin edhe shumë jetë njerëzish, dhe mijëra kilometra katrorë territor.

Pas gjithë këtyre, del qartësisht se tradhtarët  e vërtetë janë ata që duan të destabilizojnë vendin dhe të mundësojnë realizimin e interesave strategjike të Serbisë dhe të aleatëve të saj, me ç’rast Kosova dhe shqiptarët do të humbisnin shumë jetë njerëzish dhe mijëra kilometra katrorë territor.