Le të jetë e qartë: në emër të reformimit, po synohet që LDK të shndërrohet në një parti me idenitet tjetër

30.04.2018 22:22:00

Nga Rexhep Kastrati

Lumir Abdixhiku, në profilin e tij profesional, një ekonomist, kurse në profilin e ideve politike, një produkt medietik i korpusit medietik kundër LDK, te Baton Haxhiu paralajmëroi se është duke u punuar që kësaj partie të qendrës së djathtë dhe gjysëmkonservatore, t’i ndryshohet ideniteti i saj politik.

Nga ato që tha Lumiri, u kuptua se është duke u punuar që LDK të shkëputet nga tradita rugoviane, nga identiteti i saj rugovian, dhe të shndërrohet në një parti e qendrës së majtë, pra e ideve socialdemokrate.

Në fakt, Lumiri, i cili më parë ka qenë kolumnist i rregullt i “Kohës ditore”, e me pastaj edhe i “express”-it të Beratit të Bashorit, edhe te Batoni konfirmoi se nuk ka lidhje me rugovizmin, por i ka mbetur besnik ideve socialdemokrate.

Ajo që mbetet të shihet është se a është ky angazhim për shndërrimin e LDK-së në një parti socialdemokrate a është e sponzorizuar nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, pasi që interesi i tyre strategjik ka qenë që PDK-në ta paraqesin parti të djathtë.

Ajo që është skandaloze ka të bëjë pikërisht me synimet për ta shkëputur LDK-në nga rugovizmi dhe nga identiteti i saj rugovian, ndërkohë që të tjerë po përpiqen që të marrin sa më shumë identitet të tillë. Kur them këtë duhet të kemi parasysh faktin se ka gjithnjë e më shumë teza të tilla sipas të cilës rugovizmi nuk mund të jetë ekskluzivitet i LDK-së.

E keqja është se gjithë këto angazhime për shkëputjen e LDK-së nga identiteti i saj rugovian, përaktësisht ndryshimin e profilit të saj ideologjik-politik, po bëhet në emër të gjoja reformimit të saj, e që përdoret për të mashtruar mbështetësit besnikë dhe të përkushtuar të LDK-së, dhe spastrimet e plota që po bëhen në kuadër të politikës kadrovike, nga veprimtarë të përkushtuar, personalitete të rëndësishme të saj dhe mbushjen e saj me njerëz që lidhje nuk kanë pasur me LDK-në.