Legjenda Tiger Woods rikthehet te fitorja pas 5 vitesh

24.09.2018 22:09:48

Legjenda e golfit dhe e sportit Tiger Woods rikthehet protagonist në fushat e gjelbërta, duke fituar turneun e Atlantës, sukses që mungonte prej 5 vitesh (hera e fundit ishte më 4 gusht 2013, në Bridgestone). Një turne ku Woods mundi më të fortët në botë, pasi në turneun e Atlantës, i fundit i këtij viti në sportin e golfit, marrin pjesë vetëm 30 sportistët më të mirë në botë.

Woods e nisi shkëlqyeshëm këtë event, duke e dominuar në 3 xhirot e para, por duket se emocionet bënë punën e tyre dhe disa gabime reduktuan avantazhin e tij. Por në fund Woods nuk bëri më gabime dhe arriti të triufmojë e arkëtojë 10 milionë dollarë.

Një rikthim magjik i një prej legjendave të sportit botëror, që një vit më parë ndodhej në sallën e opracionit pas problemeve në shpinë, ndërsa tani shpallet fitues, duke mundur më të mirët në botë. Fitorja është një triumf i merituar dhe shpërblim për insistimin që pati gjatë muajve të fundit për t’u rikthyer në fushë pavarësisht problemeve që ka patur. Në 2019-ën të gjithë janë të paralajëmruar, pasi “mbreti” është rikthyer.