Legjislatura e tetë e Kuvendit pritet të konstituohet në fillim të marsit

Legjislatura e tetë e Kuvendit pritet të konstituohet në fillim të marsit

23.01.2021 12:30:16

Betimi i deputetëve të rinj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit pritet të ndodh në fillimin e muajt mars. Certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ po konsiderohet se do të jetë më i shpejtë në këto zgjedhje për t’i hapur rrugë konsitutimit të Kuvendit të Kosovës. Njohës politikë dhe punës së legjislativit thonë se kjo do të ndodh për shkak të afateve kohore që ndërlidhen edhe me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare, “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress se në bazë të praktikave të kaluara certifikimi i zgjedhjeve mund të zgjasë deri një muaj. Por sipas tij kësaj radhe zgjedhjet mund të certifikohen më shpejtë dhe në javën e parë të muajit mars mund të ketë tendenca për zgjedhjen e trupave të Kuvendit.

Demhasaj: Kësaj here besoj që ka me pas konstituim më të hershëm të Kuvendit

“Nëse bazohemi në praktikën e zgjedhjeve të kaluara maksimalisht që mund të zgjasë një proces i certifikimit është deri një muaj. Kësaj here besoj që ka me pas konsitutim më të hershëm të Kuvendit, për shkak se pak a shumë po vërehet që ka një përkrahje për Vetëvendosjen dhe kështu me gjasë do të jetë partia e parë në këto zgjedhje. Pastaj mbetet të shihet se sa kanë me zgjatë negociatat e LVV-së me ndonjë prej partive opozitare për të krijuar qeverinë. Me gjasë pritet të jetë AAK-ja duke pas parasysh se LVV-ja nuk pranon njëfarë mënyre të kthehet negociatat me LDK-në derisa ajo e rrëzoi qeverinë. Java e parë mund të jetë ndoshta si tendencë e konstituimit të Kuvendit, pastaj mund të zgjasë ndoshta edhe një kohë çështja e negociatave për qeverinë, me gjasë shpejt do të ketë lëvizje duke marrë parasysh se partitë e dinë se 5 maji është dita e fundit që zonja Osmani është ushtruese e presidentit”, thotë ai.

Optimist se zgjedhjet do të certifikohen në afat të shpejtë është edhe ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri.

Imeri: Fillimi i marsit do të jetë koha kur institucionet e Kosovës do të duheshin të kompletoheshin

“Konsideroj që fillimi i marsit do të gjejë Kosovën me një rezultat të certifikuar, çka do t’i hapte mundësinë edhe krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ju e dini, se presidenti në konsultim me partinë fituese të zgjedhjeve nominojnë kandidatin për kryeministër pasi të jetë i konstituar Kuvendi. Konsituimi i Kuvendit dhe nominimi i ndonjëri nga anëtarit të koalicionit ose partisë fituese do të nënkuptonte edhe fillimin e fazës së dytë të konstituimit të institucioneve, respektivisht qeverisë. Pra konsideroj se fillimi i marsit do të jetë koha kur institucionet e Kosovës do të duheshin të kompletoheshin, ose fillonin të komplementoheshin”, u shpreh Imeri.

Ndërsa, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se nëse KQZ-ja nxjerr rezultatet përfundimtare me kohë dhe nuk ka probleme të rinumërimit, zgjedhjet mund të certifikohen me kohë dhe rrjedhimisht Kuvendit të konstituohet.

Spahija: Nëse KQZ punon shpejt dhe nuk ka probleme të rinumërimit mund të bëhet çdo gjë

‘Momentin që rezultatet janë të certifikuara nga KQZ atëherë Kuvendi i Kosovës mblidhet dhe brenda 30 ditëve e ka obligim ligjor të konstatohet Kuvendi. Konstituohet i Kuvendit bëhet atëherë kur zgjidhet kryetari, kryesia, nënkryetarët dhe betohen 120 deputetët e Kuvendit…Nëse KQZ-ja punon shpejt në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare dhe nuk ke kemi problemin e vitit të kaluar ku 2 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve është dashur ende të merremi me çështje të rinumërimin e votave, konsiderojë së mund të bëhet çdo gjë”, thotë ai.

Zgjedhjet e parakohshme në vend pritet të mbahen më 14 shkurt si pasojë e rrëzimit të qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese. Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 për shkak të rinumërimit të vendvotimeve certifikimi i rezultateve përfundimtare ka zgjatur rreth dy muaj.