Leipzig kthehet te fitorja, Schalke ndalet në Këln

19.02.2017 22:26:38

eipzig kthehet te fitorja pas dy humbjeve radhazi dhe këtë e realizoi me suksesin 2-1 në fushën e Borussia M’Gladbach.  Miqtë kaluan në avantazh me Forsberg në minutën e 31-të, ndërsa përpara pushimit ndërmjet pjesëve Hazard shpërdoroi 11-metërshin që mund të rikthente shifrat në barazpeshë.

Në të 55-ën, i zakonshmi Timo Werner dyfishoi rezultatin për Leipzig, ndërsa M’Gladbach nuk i shërbeu goli i Vestergaard 9 minuta përpara fundit, me skuadrën që pësoi humbjen e parë prej emërimit në stol të Hecking.

Me këtë sukses, Leipzig vazhdon ëndrrën dhe ngjitet në kuotën e 45 pikëve në vendin e dytë, vetëm 5 pikë larg kryesuesve të Bayern Munchen.

Në ndeshjen tjetër të së dielës në javën e 21-të të Bundesligës gjermane, Koln dhe Schalke u ndanë në barazim 1-1.

Gjithçka ndodhi në pjesën e parë, me blutë mbretërorë që kaluan në avantazh pas dy minutave lojë me Schopf. Vendasit u përgjigjën duke barazuar rezultatin me Modeste në të 43-ën. Me pikën e marrë, Koln vazhdon të shpresojë në zonën europiane, ndërsa Schalke mbetet e shkëputur në mesin e renditjes.