Lejimi i ardhjes së Gjuriqit për të kthyer listën “Srpska” në Qeveri dhe pas ftesës së Merkel për Vuçiqin?

08.04.2018 09:55:14

Nga Rexhep Kastrati

Marko Gjuriq në Kosovë vetëm disa ditë pas filmit amatoresk që e heroizoi te populli serb dhe që i lidhi më shumë serbët e Kosovës me regjimin arrogant të Serbisë.

Edhe pse i arsyetuar me frymën e paqes që përcjellin Pashkët, megjithatë lejimi i futjes së Gjuriqit në Kosovë, jo vetëm për futjen pa leje herën e kaluar, por edhe për qëllimin pse kishte ardhur, dhe për retorikën arrogante të përdorur më pastaj, do të mund të konsiderohej anakronike dhe e nxituar.

Gjuriq, herën e kaluar kishte marr pjesë në një tubim të përfaqësuesve të serbëve lokalë për të vënë bazat e një Asociacioni që do të kishte konturat e një “Republika Srpska”, sipas projektit serb, e që e konfirmoi edhe më vonë, kur u deklarua për Asociacion me kompetenca ekzekutive, duke u treguar madje arrogant me Prishtinën: Mos ta sheh atë film për Asoiacion pa kompetenca ekzekutive.

Megjithatë, dalja e listës “Srpska” nga Qeveria, që ka vënë në vështirësi funksionimin e saj, mund të jetë një arsye për të cilën është lejuar që Gjuriq të futet në Kosovë. Siç dihet, lista “Srpska” kish dal nga Qeveria në shenjë proteste për shkak të arrestimit të Gjuriqit. Se a do t’u thotë Gjuriq përfaqësuesve të listës “Srpska” të kthehen në Qeveri, mbetet të shihet, por ajo që duhet të jetë e qartë, Serbisë nuk i leverdis rrëzimi i saj, pasi që në këtë mënyrë do të mund të shtyhej çështja e Asociacionit. Praktika ka dëshmuar se pas çdo palë zgjedhjeje, janë dashur muaj të tërë që të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria e re.

Beogradi ka vënë një afat kohor për themelimin e Asociacionit deri më 20 prill, kurse sipas medieve serbe, Brukseli ka vënë një afat katërmujor për këtë. Zgjedhjet eventuale në Kosovë, do të shtynin afatet për muaj, apo deri në vitin tjetër. E ky nuk është interesi i Serbisë.

Përkundrazi, Serbia është e interesuar që të mos cenohen afatet, por mbi këtë bazë të nxisë destabilizimin e Kosovës, ashtu siç kis nxitur gjatë legjislaturës së kaluar. Serbia e di se çështja e Asociacionit do të ngjallë debat të fuqishëm dhe agresiv që do të përçante jo vetëm politikën shqiptare, por edhe shoqërinë tonë, e që do të ishin mundësi të mëdha për destabilizim.

Në anën tjetër, kancelarja Merkel do ta presë në takim presidentin e Serbisë, Vuçiqin, ku do të diskutohet edhe për Kosovën. Është interes i Serbisë që lista “Srpska” të mos jetë jashtë Qeverisë, për çka do të mund të merrte kritika të forta nga kancelarja Merkel.

Takimi i kërkuar nga kancelarja Merkel me Vuçiqin shihet në Serbi si takim me rëndësi të madhe, aq më shumë kur pak ditë më vonë, kancelarja gjermane do të pritet në Washington nga presidenti Trump.