Lekaj: T’i bëhet presion Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

30.08.2016 11:28:27

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur ka thënë se të zhdukurit janë plagë e Kosovës që s’po shërohet!

Ai në një deklaratë i ka bërë thirrje të gjithë faktorëve vendorë e ndërkombëtarë që të rrisin trysninë ndaj Serbisë për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

Lexoni deklaratën e plotë të Lekajt:

Po bëhen 17 vite që fati i të zhdukurve të luftës së fundit nuk po zbardhet. Jemi me familjet në thirrjen e tyre që mos të vazhdohet edhe me tutje me ketë enigmë e cila vetëm sa i shton dhimbjet e familjarëve për më të dashurit e tyre.

Institucionet e Kosovës, nuk duhet të kenë as edhe një ditë bisedime me shtetin i cili edhe i shkaktojë viktimat edhe nuk po jep as me të voglën informatë për fatin edhe të mbi 1500 të zhdukurve. Institucionet shtetërore nuk po e kuptojnë ose po bëhen kinse s’po e kuptojnë lojën e turpshme të Serbisë me fatin e atyre që i provojë nga jeta padrejtësisht para 17 viteve. Në vend të penalizmit të saj për ato çka i ka shkaktuar në Ballkan, Serbia po “përkëdhelet” dhe po i bëhen koncesione të tjera në kurriz të Kosovës.

Edhe njëherë iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve, vendorë e ndërkombëtar, të rritet trysnia ndaj Serbisë e të bëhet e mundur zbardhja e fatit te të gjithë personave të zhdukur.