Lëkundjet e tërmetit i shqetësuan banorët e rrafshit të Dukagjinit

26.11.2019 17:55:42

Qytetarët e Kosovës, kanë rrëfyer për momentin kur i kanë ndjerë lëkundjet që erdhën nga tërmeti në Shqipëri. Ata janë të shqetësuar me këtë fatkeqësi, teksa shprehen të gatshëm për të ndihmuar banorët e prekur.  

Lëkundjet e tërmetit të mëngjesit të sotëm janë ndier edhe në komunën e Deçanit.

Sipas banorëve të kësaj ane, ka pasur lëkundje të lehta, të cilat nuk kanë zgjuar shumë shqetësim tek banorët.

“Jo shumë. Nuk na ka shqetësuar shumë tërmeti. Këtu është zonë më stabile sa u përket tërmeteve”, shprehet për RTV Dukagjinin, Imer Kukala.

Ndërsa situatë tjetër ishte në rajonin e Pejës.

Për Asllan Gashin, ishte një situatë tejet shqetësuese. Ai rrëfen edhe momentin e parë kur e ndjeu tërmetin.

“E kam përjetuar edhe vet. Kam qenë në gjumë. Më ka lëvizur krevati. Jam zgjuar kam dalë në dritare dhe kam parë që është qetësi. Jam kthyer në dhomë por më tepër se një orë nuk kam mundur të qetësohem”, deklaroi qytetari Asllan Gashi, banorë i Pejës.

Ndërsa kishte edhe nga ata që janë të gatshëm që në çfarë do mënyrë t’i ndihmojnë banorët e Shqipërisë në këtë gjendje aspak të mirë.

“Patjetër do t’i ndihmojmë me çdo mundësi. Përkrahja do të jetë shpirtërore, morale e materiale. Njerëzit nga Kosova tashmë kanë shkuar për ndihmë”, deklaroi Hydaverdi Spahija.

Gjatë të martës, në qendër të qytetit të Pejës është organizuar një aksion për grumbullimin e gjërave ushqimore, veshmbathjeve në shenjë solidarizimi me popullin e Shqipërisë./RTV Dukagjini