Lënia e Kosovës jashtë INTERPOL-it, mundësi që kriminelët të fshihen

21.12.2018 22:16:28

Mospranimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë- INTERPOL, e bën më të vështirë jo vetëm qasjen, por edhe punën dhe efikasitetin e organeve të rendit për luftimin e krimit, kontrabandës e terrorizmit.

Bashkëpunimi ndërmjet policive nga vende të ndryshme të botës, konsiderohet si i domosdoshëm në luftimin e dukurive negative, të cilat shtrihen në shumë vende.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se fakti që Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, krijon një zbrazëtirë informacioni, ngase Policia e Kosovës nuk ka qasje në bazën e të dhënave të kësaj organizate.

“Kosova nuk ka qasje direkte në databazat e INTERPOL-it, që do të thotë se çdo veturë e vjedhur mund të hyjë në Kosovë dhe ne të mos kemi informacione. Çdo dokument i vjedhur mund të përdoret nëpër kufijtë tanë dhe ne mos ta dimë, ndërsa edhe personat që janë në kërkim ndërkombëtar, mund të frekuentojnë Kosovën dhe ne mos të jemi në dijeni”.