L’espresso: Kaosi i madh

04.08.2016 14:34:49

Kemi besuar se kultura jonë është e vetmja e mundshme për planetin. Dhe paguajmë kostot e mendjemadhësisë sonë

Thelbi i tragjedisë së lashtësisë konsistonte tek “katarsisi” që ajo mund të prodhonte. Nuk ishte aspak thjeshtë një paraqitje e vuajtjeve dhe fatkeqësive. Ajo duhej që të çonte në njohjen e natyrës së tyre, në mënyrë që ne vdekatarët, të mund të ishim të gatshëm për t’u përballur me to. Përmes dhimbjes, ti mëson. Tragjedia është një mësues. Kjo ishte urtësia e lashtësisë. Vetëm kështu, mendoj se është e mundur për t’u bërë homazh të vërtetë viktimave. Retorika, klishetë, injoranca e vazhdueshme në lidhje me atë që i vrau, nuk janë gjë tjetër, përveç se vdekja e tyre e dytë. Shpërdorohen analiza “teknike” mbi masakrën e Nicës – kush ishte terroristi? Një ujk i vetmuar? Një anëtar i regjistruar i Shtetit Islamik? Debatohet për arsimin e tij Kur’anor. Zhvillohen sondazhe sociologjike mbi jetën e periferi dhe pakicat (për momentin) islamike në to. Shumë qortime për shërbimet e sigurisë dhe ata të fshehtë. E njëjta gjë për ngjarjet në Turqi, me një domethënie kolosale: Fuqitë perëndimore të zëna padyshim në befasi (si në Pranverën Arabe, ashtu si ndodh pothuajse gjithmonë tashmë); filologjia mbi gabimet e kryera nga udhëheqësit e grushtit të shtetit; pikëpyetje në lidhje me Erdoganin: më i fortë, më pak i fortë?

Gjithçka e drejtë, gjithçka e mirë. Dhe gjithçka, me një pamjaftueshmëri patetike, kundrejt kaosit global në të cilin po jetojmë. Si është e mundur të mos paralajmërohet se këto drama, janë shumë dallgë që shkojnë e përplasen mbi çdo “terra ferma” tonën të lashtë, një shprehje gjithësecila, e një cunami të vetëm kolosal? Nuk duhet të përpiqemi të deshifrojmë të çarat e mëdha të Tokës, që po përplasen dhe po e shkatërrojnë njëra-tjetrën? Dhe nga t’ia fillojmë, në mos nga vetvetja? Një kulturë apo një qytetërim mund të sulmohet një mijë herë dhe në format më të dhunshme, por kriza e saj është gjithmonë në thelb, produkt i kontradiktave dhe krisjeve të qenësishme në strukturën e saj. Sulmet dhe sfidat “mjedisore”, bëjnë që, përkundrazi, të rriten organizmat e gjallë dhe të vendosin për kolapsin, vetëm të kulturave tashmë të shuara. Nëse ndaj sulmit vetëm rezistohet, ai shndërrohet në rrethim. Edhe Ilio i shenjtë, në fund, bie. Sfidës duhet t’i përgjigjemi vetëm me fuqi reformuese, duke mësuar nga gabimet e bërë, duke rinovuar institucionet dhe gjuhët.

Ndërsa Perëndimi ka vazhduar të besojë, edhe më shumë pas rënies së Murit, se kultura e tij përbënte një rrjetë të pacënueshme, të hedhur mbi të gjithë planetin. Suksesi i padyshimtë, kolosal i racionalitetit tekniko-shkencor, atdhe i të cilit është Perëndimi, është transformuar paradoksalisht në një lloj besimi fetar: që format e veta të jetës, institucionet e veta, parimet e veta etike ishin të destinuara teologjikisht, që të bëheshin ato të të gjithë “racës njerëzore”, shprehje e përsosur e “të drejtave të njeriut”. Asgjë nuk dështon si suksesi, ka thënë një i urtë. Sa më “i përsosur” në dukje, aq më shumë i aftë për të vënë në gjumë. A do të mundej suksesi i jashtëzakonshëm tekniko-ekonomik, të kombinohej me pranimin e kulturave të tjera apo “individualiteteve universale”, me politika ndihmash, miqësie, ndaj popujve të vendeve që sot po shpërthejnë, dhe jo ndaj rais-ëve, sulltanëve dhe diktatorëve të tyre?

Nuk e di, Detyrë e vështirë. Por kjo ishte sfida. Dhe në fakt, ajo e perëndimizimit, ka qenë zgjedhja, e diktuar, nga besimi i verbër se një model i tillë është i vetmi natyror-njerëzor. Cfarë ndodhi? Ndodhi që ai dëshoi rëndë, në të gjithë premtimet e veta, në të gjithë vendet islamikë. A nuk ishin lëvizje perëndimizuese, ato që sollën në pushtet kolonelë dhe gjeneralë? A nuk ishin të besuar të fuqive perëndimore, ky apo ai sulltan lokal, kjo apo ajo dinasti? Një formë e tillë modernizimi, që martohej edhe me një nacionalizëm të markës perëndimore, i huaj për cilëndo traditë islamike, dështoi. Premtonte zhvillim alla perëndimor, prodhoi luftëra dhe mjerim.

Grushti i shtetit në Turqi është emblematik. Shenjon një zhvillim përfundimtar. Kurrë më parë një ushtri “e perëndimizuar” (siç janë ushtritë) nuk mund të besohet, kur premton paqen dhe mirëqenien. Fitorja e Erdoganit shpjegohet kështu; reforma e saj në kuptimin islamik të “kredos” së Ataturkut, është imponuar prej shembjes para fakteve të asaj ideje të modernizimit, jo vetëm ekonomik, por politik. Larg prej hedhjes së themeleve të një zhvillimi demokratik, ajo ka çuar drejt një proletarizimi të masës, drejt pabarazive të mëdha mes elitave drejtuese dhe popullsisë, si dhe një korrupsioni të përhapur. Dhe çfarë fati e pret një qytetërim të rrethuar nga një shumësi proletarësh, të dëshpëruar por aspak të dorëzuar, dhe që shohin tani, ekzaktësisht si ne “metropolitanët”, tek pabarazia, një padrejtësi të patolerueshme?

Por proletarizimit të masave në vendet islamike, i korrespondon një proces analog në Perëndim. Për praninë në rritje të emigrantëve, për dallimin në normat e lindjeve mes këtyre dhe “indigjenëve”, sigurisht, por edhe për politikat sociale dhe ekonomike, pas fundit të “mirëqenies”, apo epokës social demokratike, të cilat penalizuan objektivisht shtresat më të dobëta të popullsisë, sakrifikuan çdo ide të solidaritetit, duke tradhëtuar “paktin” mbi të cilin ishin ngritur demokracitë tona, pas vetëvrasjes së dy luftërave botërore.

Kështu, presioni kolosal i ushtruar nga proletariati i jashtëm, përmblidhet dhe përplaset me proceset e proletarizimit të brendshëm, duke turbulluar gjendjen dhe pritshmëritë e asaj klase të mesme, e cila mbetet pika kyçe e çdo shoqërie demokratike.

Kjo është përzierja shpërthyese e cila po ndodh tashmë. Nga e cila nuk është e mundur të mbrohemi, nëse nuk riformojmë jo vetëm politikat ekonomike të Perëndimit, por edhe vetë vizionin që Perëndimi ka për veten. Të mendosh se mund të mbash një rend global mbi bazën e interesave ekonomike, që mund të rregullohen me ndonjë “ex mercatoria”, do të thotë që të mos mendosh. Kriza radikale që ka prekur klasat drejtuese perëndimore, ajo shkëputje e popullit nga autoriteti i tyre, që manifestohet përditë e më dramatikisht, nuk është produkt i një sulmi alienësh, por i pafuqisë së tyre për të përballur kërcimin epokal mu në terrenin e tyre, kulturor dhe politik.

Udhëheqjet europiane dhe amerikane, në komandë, më shumë se në udhëheqje të planetit gjatë tridhjetë viteve të fundit, kanë ndihmuar, në mos favorizuar, një globalizim i cili shumëfishon fenomenet e përjashtimit dhe pabarazisë. E majta dhe e djathta janë në sytë e sektorëve shumë të mëdhenj të opinionit publik, edhe të asaj pakice fisnike të tij që vazhdon të votojë. Për çfarë Brexit-i tjetër kemi nevojë për ta kuptuar? Për sa shumë Trump-ë? Për sa sondazhe të Uashington Post, sipas të cilit 72% e amerikanëve mendon që politikanët nuk janë të denjë për besimin dhe 64% që institucionet nuk funksionojnë? Apo mendohet të përballohet kriza, duke bashkuar forcat e vjetra, duke rezistuar të përqafuar me pasion në “koalicione të mëdhenj”, demokristianë dhe socialdemokratë, socialistë dhe golistë, laburistë dhe konservatorë? Mefistofeli është një joshës i fuqishëm; rruga për në ferr pret qytetërimet e paaftë për të përballuar rrezikun e transformimit të vetvetes.