Letër e hapur familjes Dehari

09.11.2016 13:13:17

Nga Rexhep Kastrati

E nderuara familje Dehari,

të humbasësh djalin, përkatësisht bashkëshortin është dhimbje, është dhimbje e madhe! Dhe unë i jam bashkuar dhimbjes suaj që në momentin kur kam marr vesh për këtë humbje! Dhe këtë e kam bërë si qytetar dhe si personalitet publik që 18 vjet angazhohem publikisht kundër dhunës dhe kundër falangave të krimit! Pra, i jam bashkuar dhimbjes suaj, si një qytetar dhe si një personalitet që është ballafaquar edhe me pasoja për angazhimet e mia publike. Është e vërtetë se pasojat për ju janë pakrahasimisht më të mëdha, dhe kjo është ajo që më bën të kem mirëkuptim për qëndrimet që shfaqni, por po jua kujtoj se që nga viti 1998 e këndej, pra që në moshën 30 vjeç e deri tash që i kam 48 jam ballafaquar me kërcënime të drejtpërdrejta, me kërcënime me telefon, me kërcënime me email-e dhe me mesazhe të ndryshme. Dhe jam kërcënuar se do të ma likudionin edhe familjen, jo vetëm mua. Për të më bërë të besoj në këto, ma kanë sulmuar me bombë familjen në shtëpinë time në Prizren. Mund ta imagjinoni një shpërthim bombe dhe një vrasje kolektive të një familjeje?  Dhe mëkati im nuk ishte sulmi me bombë ndaj dikujt, apo ndaj ndonjë institucioni, por vetëm pse guxoja të denoncoja me shkrime krimin dhe vrasjet. Dhe janë 18 vjet që unë dhe familja ime jetojmë nën kërcënime se kur do të vritem unë, apo kur do më likuidohet familja. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, edhe fushata primitive shpifjesh për mua dhe për familjen time nga njerëz që më njihnin dhe që nuk më njihnin. Mirëpo, kurrë nuk kam lejuar që të gjitha këto të ndikojnë në pikëpamjet e mia, në angazhimet e mia dhe në respektimin e shtetit dhe të institucioneve të tij. Është kështu se vendimi për t’u angazhuar kundër dhunës dhe krimit politik, ka qenë vendimi im, kurse shteti dhe institucionet e tij janë çështje që nuk më përkasin as veç mua, as veç juve. Për këtë shtet dhe për këto institucione, ky popull ka bërë sakrifica të mëdha, ka derdhur gjak dhe ka përjetuar tragjedi të mëdha. Prandaj, ne mund të kemi vërejtje, madje mund edhe të mos jemi fare të kënaqur me to, por nuk mund t’i kërcënojmë dhe as nuk mund t’i rrënojmë as ne, dhe askush tjetër. Është e drejta juaj që të keni bindje dhe përcaktime, sikurse që kanë të drejtë edhe të tjerët të kenë pikëpamjet dhe përcaktimet e tyre, por po ashtu është detyrim moral, njerëzor dhe ligjor të mos keqpërdoret dhimbja për qëllime që nuk kanë lidhje as me shkaqet e vdekjes, e as me interesat shtetërore dhe kombëtare. Me këtë, jo vetëm që po e shpërdoroni solidaritetin shoqëror që shoqëria jonë pati me dhimbjen tuaj, por po shkelni çdo normë të traditës shqiptare. Dhe kjo traditë shqiptare thotë se edhe hasmit i hapet dera për të marrë pjesë në varrim dhe për të pame, kurse hesapet tjera kqyren më vonë. Kurse ende nuk dihet se Astriti a e ka vrarë veten, apo e ka ngulfatur dikush. Po ashtu, ju i shpallni luftë shtetit dhe institucioneve të tij, kur ju e dini, sikurse që e dinë të gjithë shqiptarët se janë pikërisht institucionet e shtetit ato që kanë shrehur dyshime për vdekjen e Astritit dhe kanë kërkuar ekspertizë të pavarur mjeko-ligjore dhe kanë pranuar çdo kërkesë tuajën si familje, por edhe të sektës okulte të Albinit lidhur me një ekspertizë ligjore. Po çka nëse del se shtë vetëvrasje në gjendje të ndonjë ngarkese depresive për shkak të trysnive që mund të ketë pasur për shkak të bashkëpunimit me autoritetet? Në anën tjetër, çka nëse del se Astritin mund ta kenë vrarë njerëz të nxitur nga sekta okulte e Albinit, apo edhe nga të tjerë që mund të kenë qenë të interesuar që ai të mos bashkëpunonte me autoritetet? Po çka nëse del se në dhomën ku ishte Astriti mund të ketë pasur vrasës me pagesë, po ashtu militant i sektës okulte të Albinit? Po çka nëse ndonjë punonjës burgu mund të ketë marr urdhër nga jashtë për të kryer eliminimin e Astritit? Dhe ku është faji i shtetit këtu? Po a nuk ka raste edhe në burgjet më të sigurta në botë që të bëhen eliminime të njerëzve? Po a nuk u thye burgu më i sigurt në botë “Alkatrasi”? Pse duhej ta eliminonte shteti kur Astriti ishte duke bashkëpunuar me të? Dhe të gjitha këto dhe shumë të tjera, nënkuptojnë se nuk shpallet armiq njerëz pa u ditur e vërteta, dhe kur mund të ndodhë që armiqtë të jenë në mesin tuaj. ky popull ua kupton dhimbjen, është solidarizuar me ju dhe ka bashkëndjerë me ju, por po ashtu, ky popull e ka shumë të lehtë që ta kuptojë se adresimet e juaja, shpallja e amriqve dhe e luftës nuk ka të bëjë fare me dhimbjen , por ka të bëjë me një përcaktim politik, i cili si i tillë është i sektës okulte të Albinit. Dhe për këtë unë së pari ndjej keqardhje, ndjej keqardhje të thellë kur në emër të dhimbjes sado e madhe që të jetë, shpallen armiq e luftra të ndryshme. Dhe kur jemi këtu, pse kaq nxitim për të shpallur armiq dhe luftë kur nuk janë kryer ende hetimet, as nuk kanë dalë rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore? A po ju ngutet juve, apo sektës okulte të Albinit për të shpallë armiq dhe luftë? Si nuk e ndjetë veten të ofenduar kur Albini e konvertoi vdekjen e Astritit në anëtarë të sektës së tij?  Dhe po jua them unë që kam 18 vjet duke kërkuar pakompromis që të zbardhet e vërteta për vrasjet politike, megjithë rrezikun për mua dhe për familjen time, dhe që e kam po atë vendosmëri dhe përkushtim për ta kërkuar zbardhjen e plotë të të vërtetës për vdekjen e Astritit, dhe për dënimin e gjithescilit që mund të ketë përgjegjësi për këtë pavarësisht nga pozita që mund të mbajë, dhe pavarësisht se për kë bëhet fjalë.

Dhe krejt në fund, dua të shpreh sërish solidaritetin tim me dhimbjen tuaj, por jo edhe me politizimin dhe sektëzimin e vdekjes së Astritit, dhe dua të shpreh edhe respektin tim për ju si familje, me bindjen se gjithë këtë politizim dhe këtë sektëzim e keni bërë të nxitur, apo pse jo, edhe të indoktrinuar nga Albini dhe sekta e tij!