Letra e Mehmet Shehu, drejtuar Enver Hoxhës për Ismail Kadarenë

05.10.2017 00:03:57

 

Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma këtë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, luftës nacional – çlirimtare, popullit, jo një herë, dhe ka bërë vepra të mëdha në këto drejtime. Poema e tij “Përse mendojnë këto male” është me partishmëri të lartë. “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, janë nga romanet më të mira si nga përmbajtja, dhe nga ana artistike.

“Dimri i vetmisë së madhe” me gjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e Partisë kundër revizionizmit dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit. Dhe me sa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë dhe ka bërë autokritikë. Romanin “Dasma” ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun.

Ai ndishta ka dashur të fusë në vjershë luftën kundër grupit të komplotistëve e kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje, dështoi. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do i kuptojë gabimet e rënda.

Për sa i përket konfuzionit që kanë edhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftën kundër burokratizmit etj., mjafton të përmendim dy vepra të gabuara për mendimin tim, të Dritëro Agollit: a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është i kalbur, me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj. b) Drama “Fytyra e dytë” në fillim ishte një dramë që nxinte situatën e rendit tonë, sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj, pas disa kritikave shumë të zbehta,  e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase.

Dhe megjithatë, më vonë siç dihet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme “Nënë Shqipëri”.

Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si për shembull Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë.

Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë, duke u vënë në dukje gabimet e të metat, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në fund, pa e kaluar barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten.

Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë, unë jam dakord si të vendosni ju.

Mehmeti