Letra e NATO-s për Kosovën, këto janë detajet e bashkëpunimit në të ardhmen

08.12.2016 12:32:48

Kryeministri Isa Mustafa së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kanë thënë të enjten se janë shënuar të arritura evidente në raportet e Kosovës me organizatat ndërkombëtare si dhe në fuqizimin ndërkombëtar të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me jashtë.

Në këtë drejtim kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se kanë pranuar përgjigje nga sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, që sipas shefit të ekzekutivit, konfirmohet rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike.

“Siç jeni të informuar, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës vitin e kaluar i kam dërguar një letër Sekretarit Stoltenberg, ku kam kërkuar zyrtarisht fuqizimin e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n, në disa dimensione të rëndësishme për Kosovën. Si rezultat, dje pranova zyrtarisht një përgjigje shumë inkurajuese nga NATO-ja në letrën tonë”, sqaroi kryeministri.

Në letrën e NATO-s na  kanë ofruar mundësi për aktivitete shtesë të dizajnuara për të fuqizuar bashkëveprimin me Kosovën.

Këto janë aktivitetet që përfshihen në letrën e NATO-s:

  • – Rritjen e vizitave të Këshillit të Atlantikut Verior dhe takimet me Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s si dhe autoritetet relevante të Kosovës, përmes të cilave do të zgjerohet dialogu politik.
  • – Pastaj dialogu për aktivitetet e bashkëpunimit praktik me NATO-n.
  • – Aktivitete shtesë të përshtatura për nevojat specifike të Kosovës, të cilat mund të përfshijnë mbrojtjen e rrjeteve informatike, edukim, trajnime dhe logjistikë.
  • – Zgjerim të aktiviteteve në kuadër të Programit “Ndërtimi i Integritetit” me qëllim të rritjes së kapaciteteve institucionale.
  • – Pjesëmarrje në disa prej aktiviteteve të Programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri”, që ka të bëjë me mekanizmat që ofrojnë mundësitë për shkencëtarët dhe ekspertët e NATO-s dhe vendeve partnere të bashkëpunojnë në relacionet e shkencave civile, teknologjisë dhe të inovacionit.
  • – Konsiderimi i mënyrave që Forca e Sigurisë së Kosovës, në suaza të mandatit të saj, të marrë pjesë si vëzhguese në ushtrimet e Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim në Fatkeqësi (EADRCC).
  • – Eksplorimi i mënyrave që FSK-ja, në koordinim me Ekipin Këshillues Ndërlidhës, të marrë pjesë edhe në ushtrimet e KFOR-it, në përputhje me mandatin e saj.
  • – Ndërkaq, Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s do të konsideroj rrugët e për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve relevante të Kosovës, OJQ-ve, Universiteteve, dhe akterëve tjerë të shoqërisë civile që merren me çështje të paqes dhe sigurisë, me komunikim dhe diplomaci publike.