Lëvizja Besa akuzon NP “Rrugët e Maqedonisë”: Ku shkojnë paratë për mirëmbajtjen e rrugëve?

19.01.2017 17:29:20

Lëvizja Besa përmes një komunikate të lëshuar , ka akuzuar ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë” dhe Qeverinë e Maqedonisë se nuk kanë bërë punën e duhur në lidhje me pastrimin e borës në rrugët magjistrale dhe rajonale.

“Në vitin 2016 për ndërmarrjen “Rrugët e Maqedonisë” janë ndarë mjete në vlerë prej 396 milionë denarë për mirëmbajtjen e rrugëve. Gjithashtu edhe për vitin 2017 është parapa shuma e njëjtë, por edhe përkundër ndarjes së mjeteve financiare, gjendja faktike në rrugët magjistrale dhe regjionale të Maqedonisë është krejtësisht tjetër. Edhe pse janë ndarë mjete për këtë qëllim, përsëri vërehet mosintervenimi i organeve kompetente, haset organizim shumë i dobët i punëve në terren, shërbimet janë me çmim mjaft të lartë dhe joreal, makineria është e vjetruar dhe kontratat me personat e tretë, që hynë si kontraktues, janë të dëmshme, me çka shkaktohen shpenzime të larta joreale”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Nga Lëvizja Besa gjithashtu bëjnë thirrje për shfrytëzim më racional të mjeteve financiare nga ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” dhe tu dilet në ndihmë qytetarëve që janë të bllokuar nga bora.