“Lëvizja për Drejtësi” i bashkohet LDK-së

15.05.2017 11:36:22

Fraksioni brenda Partisë së Drejtësisë “Lëvizja për Drejtësi”, e që pretendon se i ka shumicën e degëve të PD-së, sot do të futet në koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar, Fidan Mustafa, i cili ka thënë se zyrtarizimi i koalicionit me LDK-në do të ndodhë brenda ditës së sotme.

“Ne si Lëvizje për Drejtësi, që kemi më shumë se 15 degë, kemi vendosur që të futemi në koalicion parazgjedhor me LDK-në. Pas konsultave që i kemi pasur me zyrtarë të LDK-së jemi dakorduar që të lidhim një koalicion parazgjedhor. Kjo do të bëhet brenda ditës së sotme”, ka thënë Mustafa

Kujtojmë se një pjesë e anëtarësisë së Partisë së Drejtësisë, nuk ishte pajtuar me kryetarin Ferid Agani dhe kanë mbajtur një Kuvend të Jashtëzakonshëm në të cilin shkarkuan kryetarit e tyre.

Mirëpo, KQZ-ja nuk e njohu atë kuvend dhe kështu ky fraksion tashmë ka formuar “Lëvizjen për Drejtësi”.

Ndërsa Partia e Drejtësisë e udhëhequr nga Ferid Agani e cila është në koalicion me PDK-në, pritet që edhe këto zgjedhje të shkojë në koalicion me PDK-në.