Lewandowski: Aubameyang i bën mirë Bundesligës

27.01.2017 17:33:00

Pierre-Emerick Aubameyang është rivali i tij më i madh në luftën për gola, por Robert Lewandowski dëshiron që gabonezi të qëndrojë sa më shumë te Borussia Dortmund. 

“Bomberi” polak i Bayern-it ka dhënë mendimin e tij për 27-vjeçarin e verdhezinjve, duke u shprehur se Bundesliga përfiton duke pasur një lojtar si ai. “Kam dëgjuar se Auba ndihet mirë në Dortmund, por s’e di se çfarë ka në mendje. Sigurisht, kjo është një temë edhe për klubin: duan ta mbajnë apo ta shesin duke fituar shumë para? Do të ishte mirë për kampionatin, sigurisht, nëse ai qëndron”, – tha Lewandowski në “Sport Bild”.Vetë polaku vendosi ndryshe në verën e vitit 2014, kur u largua nga “Signal Iduna Park” për të luajtur në Mynih. Gjendja aktuale e Aubameyang-ut është thuajse e njëjta, por – ndryshe nga Lewandowski – ai nuk pritet të veshë fanellën bavareze. Para pak ditësh, 27-vjeçari u shpreh: “Kurrë nuk do të shkoj te Bayern. Kjo është e sigurt. Do të ishte shumë e rëndë për tifozët tanë. Pavarësisht se çfarë do të më ofrojnë, unë do të përgjigja ‘jo’.” Ish-milanisti ka kontratë deri në vitin 2020 në Dortmund. Ai kërkohet nga disa skuadra të mëdha evropiane, si Manchester City, PSG dhe Real Madrid.