Lewandowski: largimi nga Bayerni nuk do të ishte hap përpara për mua!

25.01.2017 12:56:23

Robert Lewandowski është një nga lojtarët, që çdo verë shfaqet në tregun e futbollistëve, si objektiv i lakmuar nga të gjitha klubet e mëdha në Evropë, por vitet kalojnë dhe përfshirja e tij me Bayern Munich rritet më shumë.

Në fakt, pak para përfundimit të vitit 2016, polaku ka nënshkruar një kontratë të re, që do ta mbajë atë në “Allianz Arena” deri në vitin 2021. Me këtë zgjerim të marrëveshjes së bashkëpunimit, sulmuesi në fjalë pothuajse ka siguruar pensionimin e tij në Bavari, duke refuzuar transferimin e mundshëm në ligat e tjera.Klubi që ka qenë më i interesuar për shërbimet e tij është Real Madridi, i cili e ftoi agjentin e polakut në “Bernabeu”, gjasme për të qenë dëshmitar i një ndeshjeje të “Los Blancos”. Edhe vetë Lewandowski nuk e ka fshehur asnjëherë se klubi galaktik e ka kontaktuar në më shumë se një rast. Lewandowski ka vendosur të vazhdojë në radhët e Bayern Munich, sepse mendon që klube të tilla si Real Madrid dhe Barcelona nuk do ta çonin përpara karrierën e tij. “Bayern Munich është një nga klubet më të mira në botë, në të njëjtin nivel me Real Madridin dhe Barcelonën. Një ndryshim i klubit nuk do të ishte një hap përpara në karrierën time, sepse këtu ku jam mund t’i fitoj të gjithë titujt e mundshëm. Gjithashtu, ndihem krejtësisht rehat në Mynih,” – tha sulmuesi polak në një intervistë të botuar të mërkurën në “Bild”. Ai u bashkua me bavarezët në sezonin 2014-2015, pas një periudhe shumë të mirë si lojtar i Borussia Dortmund. Në Munich, polaku e ka përmirësuar mesataren e shënimit të tij, me 89 gola në 125 ndeshje. Në Bundesligë, sezonin e kaluar, shënoi 30 gola në 32 ndeshje.