Libri që nxjerr të palarat e Trump shihet si rrezik për sigurinë kombëtare, autoritetet amerikane në sulm për të ndaluar botimin

18.06.2020 14:52:31

Ish-zyrtari John Bolton ka ngritur tepër pluhur me librin e tij “The room where it happened”, (Dhoma ku ka ndodhur), i cili shihet si një dokument që do t’i nxjerrë të palarat presidentit amerikan.

Kjo gjë nuk është parë me sy të mirë nga autoritetet amerikane, të cilët po bëjnë çmos që të evitojnë daljen e tij në treg.

Ministria e Drejtësisë pohon se në këtë libër ka dokumente sekrete qeveritare, të cilat, nëse publikohen, mund të cënojnë sigurinë kombëtare.

Një ditë më parë qeveria ka ngritur aktpadi kundër autorit, për të evituar publikimin e librit, të planifikuar për ditën e martë.

Qeveria argumenton se ish-këshilltari për siguri i presidentit Trump, John Bolton, do të botojë librin pa e pritur përgjigjen e qeverisë, edhe pse duhet të merret mendimi nëse në libër ka edhe dokumente të ndaluara për publikim.

Libri zbulon veprimet e Donald Trump, i cili iu lut shumë herë Kinës që ta ndihmonte që të rizgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Trump e ka sulmuar shpesh ashpër ish-këshilltarin e tij, duke thënë se Boltoni ka shkelur ligjin me shkrimin e këtij libri dhe me pohimet që mund të lexohen atje. Trumpi e quajti Boltonin “gënjeshtar” dhe pohoi se të gjithë në Shtëpinë e Bardhë e kanë urryer.