Liderët botërorë shpresojnë në bashkëpinim me Trumpin

20.01.2017 22:32:48

Udhëheqës botërorë kanë uruar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pas inaugurimit të tij më 20 janar.

Ata kanë shprehur dëshirën për të punuar me administratën e tij, ndërsa disa liderë perëndimorë kanë bërë thirrje për vazhdim të bashkëpunimit në çështjet e sigurisë.

Kryeministrja britanike, Theresa May, duke folur për gazetën Financial Times, tha se mendon se Trump “e njeh rëndësinë e NATO-s”, pavarësisht kritikave për aleancën ushtarake perëndimore.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, uroi Trumpin dhe tha se “fuqia e NATO-s është sa e mirë për Shtetet e Bashkuara, aq edhe për Evropën”.

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shprehën optimizëm për marrëdhëniet me administratën Trump, duke thënë se Rusia është e gatshme të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.

Papa Françesku tha se Trump duhet t’i shfrytëzojë vlerat etike si udhëzuese.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, me postime në Twitter, kanë uruar Trumpin dhe kanë shfaqur shpresën për bashkëpunim me administratën e tij.