Liderët e Ballkanit: Po krijojmë një Ballkan të ri, jo Jugosllavi të re!

11.11.2019 12:00:33

Liderët e Ballkanit Perëndimor në Ohër të Maqedonisë së Veriut diskutuan iniciativat për thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave. Por ekonomistët kanë rezerva për mini-Shengenin, thotë DW.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave, me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE, ndërsa besoj, se edhe i gjithë rajoni nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Union. Ne punojmë gjithsesi t’i shfrytëzojmë të gjitha potencialet dhe mundësitë të cilat i kemi para nesh dhe ta përparojmë cilësinë e jetesës në të gjithë rajonin. Ta afrojmë të gjithë rajonin dhe t’i shfrytëzojmë të gjitha potencialet që do të sjellë jetë të mirë për të gjithë rajonin”, ka deklaruar kryeministri maqedonas Zoran Zaev duke lexuar deklaratën e miratuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic ka thënë se nisma nuk asnjë qëllim tjetër pos përfitimeve ekonomike dhe lëvizjes së lirë të njerëzve mes shteteve të rajonit. “Kjo paraqet të ardhme për shtetet dhe popujt tanë. Këtu nuk ka asnjë Jugosllavi, por vetëm jetë më të mirë për qytetarët tanë, më normale, më kualitative, që më lehtë të lëvizim, ambient për jetë normale, e jo për konfrontime e urrejtje”, ka thënë Vuçiq.

Kurse kryeministri shqiptar, Edi Rama në fjalimin e tij është ndalur kryesisht në mospjesëmarrjen e Kosovës, e cila ishte ftuar në këtë takim. Rama ka thënë se e ka të paqartë mospjesëmarrjen e Kosovës para se gjithash arsyetimin, se nuk mund të jetë pjesë e takimeve me shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se Kosova në pesë e vitet e fundit ka marrë pjesë në nisma të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, së bashku me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, edhe pse këto nuk e kanë njohur Kosovën.

Kreu i qeverisë shqiptare mospjesëmarrjen e Kosovës e ka quajtur “vetpërjashtuese” nga kjo nismë rajonale, e cila sipas Ramës, ka rëndësi të madhe për shkak të lehtësirave të shumta që ofron për katër liritë themelore të Bashkimit Evropian: liria e lëvizjes së njerëzve, liria e lëvizjes së mallrave, liria e lëvizjes së kapitaleve dhe liria e lëvizjes së shërbimeve.

“Nuk ka asgjë të re në këto nisma nga ajo që jemi dakordësuar në të gjitha takimet e fundit, në të gjitha nismat, e që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa radhë të gjata, pa kontrolle, pa ryshfete. Nuk bëhet fjalë për asnjë union doganor”, ka deklaruar Rama.