Liderët e Luginës te Thaçi për vizitë!

10.09.2018 09:14:07

Nga Sevdail Hyseni

Sipas njoftimit zyrtar nga Kabineti i, bëhet e ditur se sot, në ditën e hënë, të 10 shtatorit, do të organizohet një takim i presidentit të Republikës së Kosovës, me liderët e Luginës së Preshevës e më pas do të zhvillohet edhe një konferencë e përbashkët me gazetarë.

Ky është takimi i dytë me radhë i presidentit Thaçi me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, pas vënies në qarkullim të idesë për korrigjimin e kufijve dhe mundësinë e bashkëngjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, pjesë e pandashme e së cilës kanë qenë gjatë historisë.

Lajmi për këtë takim, i cili vjen në momentet më të furishme politike e diplomatike, që po zhvillohen ne veri të Kosovës dhe po zien nga brenda në Luginë të Preshevës, po kalon pa ndonjë publicitet medial në Luginë të Preshevës.

Si do që të jetë, nga ky takim, Liderët politikë e institucionalë nga Lugina e Preshevës, nuk duhet të dalin të ndarë e të përçarë në mendime dhe propozime, të cilat, si kurrë njëherë më parë, duhet të reflektojnë unitet dhe pozitivitet karshi idesë për korrigjimin e kufijve, si një nga opsionet më të drejta dhe më të qëndrueshme për zgjidhjen e statusit politik të kësaj krahine shqiptare.

Në këtë drejtim, nga partitë në pushtet dhe ato opozitare në Kosovë, nuk duhet të vijnë zëra për përçarjen edhe ashtu të ndarë e të parcializuar të liderëve të Luginës së Preshevës, rreth idesë së presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, opsion ky, i cili, gjithnjë po gjen përkrahjen e popullatës shqiptare në këtë rajon. Opsion, ky i lindur nga presidenti Thaçi, por që e ka zanafillën shumë më herët e të manifestuar me veprime politike e luftarake të baballarëve tanë etnikë. Në këtë vijë, liderët e Luginës, duhet t’i mbrojnë qëndrimet e tyre unike edhe në ndonjë takim të radhës me presidentin e Shqipërisë dhe të Serbisë, pavarësisht presioneve dhe shantazheve, që mund tu vijnë nga kush do qoftë dhe nga do qoftë.

Duke i parë parasysh zërat politikë që vijnë nga Prishtina dhe Beogradi “për” dhe “kundër” idesë së presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, liderët e Luginës së Preshevës, nuk duhet të ndahen në grupe, disa për “reciprocitet”, disa për “bashkim” e disa për “Autonomi”, por duhet të jenë të bashkuar, ashtu siç e kanë treguar veten pararendësit e tyre në Referendum, luftë, marrëveshje, deklarata etj.