Lideri tartar në Krime u dënua me 8 vjet burg

11.09.2017 14:13:12

Një gjykatë në rajonin Krime të Ukrainës, që është aneksuar nga Rusia, e ka dënuar liderin e njohur tartar, Akhtem Chiygoz, me tetë vjet burg.

Ai sot është shpallur fajtor nga gjykata në kryeqytetin rajonal, Simferopol, për akuza lidhur me një demonstratë ilegale në këtë qytet, në shkurt të vitit 2014.

Zoti Chiygoz është zëvendëskryetar i Mexhlisit, që është Asambleja e tartarëve të Krimesë, që pas aneksimit ishte shpallur jashtëligjore nga Rusia.

Në Kijev, Ministria e jashtme e Ukrainës e ka kritikuar ashpër dënimin e shqiptuar nga zyrtarët e gjykatës së imponuar nga Rusia.

Kjo ministri tha se Chiygoz ishte arrestuar “për shkak të mbështetjes së tij për integritetin territorial të Ukrainës dhe luftën për të drejtat e njeriut”.