Lidhja e Serbisë me Trepçën ka qenë lidhje e plaçkitjes së dhunshme, e jo lidhje legale pronësoro-juridike

12.10.2016 23:02:58

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq nga Rusia shprehu gatishmërinë që t’i përgjigjet Kosovës në të gjitha mënyrat për Trepçën, duke dëshmuar kështu se pretendimet serbe ndaj Kosovës lidhen me këtë minierë të njohur dhe të pasur, e jo me ndonjë aspekt tjetër të propagandës pseudoshkencore. Nikoliq nuk ishte mjaftuar me gjithë retorikën e shfaqur nga qeveria e Serbisë dhe nga eksponentë të ndryshëm, përfshirë edhe popin Irinej , cili kërcënoi se do ta kthente Kosovën me dhunë. Gjithë kjo retorikë serbe, në fakt i gjason shumë retorikës së kohës së Milosheviqit, kur Kosova jo vetëm që u kërcënua, por u pushtua me të gjitha mjetet dhe me të gjitha mënyrat. Sikurse në kohën e Milosheviqit, edhe tash janë bërë bashkë shtet e Kishë kundër Kosovës dhe po shpalosin të njëjtat koncepte shoviniste dhe kërcënime edhe me dhunë, pikërisht për shkak të Trepçës, duke dëshmuar kështu se thelbi i interesimit të Serbisë për Kosovën nuk qëndron gjithaq te aspektet idetitare, shpirtërore e fetare, sa në aspektet ekonomike. Me një arrogancë tipike serbe, Trepça u deklarua pasuri dhe pronë e Serbisë, dhe se Kosova gjoja ia paska uzurpuar. Në fakt, historia e Trepçës sidomos në kontekstin e historisë së shtetit federal jugosllav, përgënjeshtron pretendimet e Serbisë, pasi që gjatë asaj kohe , Trepça është menaxhuar nga Kosova dhe edhe investimet dhe garancitë i ka dhënë Kosova. Serbia absolutisht nuk ka pasur qasje në Trepçë, prandaj krahas Universitetit, Trepça ka qenë më e atakuara. Më 30 tetor 1989 kishte filluar edhe një proces gjyqësor kundër drejtuesve të saj. Serbia donte kështu të hakmerrej edhe për grevën që minatorët e Trepçës bënë në vitin 1989 kundër heqjes së autonomisë së Kosovës. Pra, historia e raportit të Serbisë me Trepçën, është histori e pretendimeve për pushtimin dhe për përvetësimin e pasurive të saj, e jo histori e ndonjë raporti të rregullt pronësie. Se është kështu, dëshmon edhe fakti se pas vendosjes së gjendjes së posaçme në fund të qershorit 1990, Serbia më së shumti goditi Trepçën, të cilin e vuri në masa të rrepta që quheshin të dhunshme, pasi që ksihze vendosur një adminstratë të paligjshme dhe kishte larguar administratën legjitime shqiptare. Dhe trajtimi që Serbia ia ka bërë Trepçës është trajtim i një plaçkitësi që ka për qëllim që të zhvatë, e jo që të kujdeset për të, që ta mirëmbajë, që ta vitalizojë dhe ta bëjë një kompani të qëndrueshme. Prandaj, edhe prodhimi i saj ishte vetëm 10% – 30%, nga sa prodhohej para korrikut 1990, siç thotë edhe prof. dr.Muhamet Mustafa në një shkrim të sotëm. Pra, gjithçka i ngjate një piratërie, një plaçkitje, një hajdutërie tipike të atyre që e dijnë se janë të përkohshëm dhe që janë në pronë të huaj. Gjatë tërë viteve ’90 të shekullit të kaluar, sikurse e gjithë Kosova, edhe Trepça u ballfaqua me një sistem pushtimi, me një rend dhe korpues kushtetues dhe ligjor të një shteti që për qytetarët e Kosovës ishte i huaj dhe konsderohej vetëm një pushtues. E vetmja lidhje me Serbinë ishte adminstrata e dhunshme, ushtria e policia, pra ishte aparati represiv, segregacioni dhe  apartheidi. Për shkak të natyrës diskriminuese, kundërdemokratike dhe tërësisht raciste, këto ligje dhe gjithë sistemi juridiko-kushtetues i Serbisë u anulua nga adminstrata ndërkombëtare në Kosovë, e cila pronën ia riktheu Kosovës, pra edhe Trepçën. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe me përcaktimin kushtetues se pasuritë e Kosovës janë pronë e saj, përfundimisht u qartësua se edhe Trepça është pronë e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe ka pasur problem me sttausin ligjor të Trepçës si ndërmarrje në menaxhim të AKP-së, e që kishte të bënte me natyrën e saj si ndërmarrje që priste t’i përcaktohej statusi ligjor nga ana e Kuvendit. Dhe për t’u përcaktuar statusi ligjor i Trepçës, por edhe strategjia zhvillimore e saj, ishte punuar kohë të gjatë që ligji të ishte sa më i plotë dhe të shprehte edhe pronësinë, edhe statusin e saj , si dhe të hapte perspektivë zhvillimore të këtij kombinati. E inicuar nga Qeveria, një Komision i gjerë i kuvendarëve, ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues të kombinatit Trepça, përfaqësues të shoqërisë civile, në krye me prof. dr. Muhamet Mustafën arritën që të normëzojnë ligjërisht pronësinë dhe statusin e Trepçës, e që me një konsensus të gjerë politik u kthye në ligj. Me këtë ligj, iu dha fund lgjërisht një kalvari që e kish përjetuar Trepça, si dhe kishte qetësuar ndjesitë e qytetarëve të Kosovës dhe të punëtorëve të këtij kombinati. Në këtë kuptim, me këtë ligj u vërtetua edhe një herë ajo që dihej: pronësia e Kosovës mbi këtë kombinat që nuk ishte vënë në dyshim nga Serbia gjatë ekzistimit të Krahinës së Kosovës, por që kish përjetuar një pushtim dhe plaçkitje tipike dhe që ishte rikthyer Kosovës edhe me Rregullore të UNMIK-ut, edhe me Pakon e Ahtisarit, edhe me kushtetutën e Kosovës. Dhe gjithë ky është një proces legal, legjtim dhe plotësisht në përputhje me të vërtetën për këtë kombinat. E Serbia e di këtë, prandaj nuk i ka mbetur gjë tjetër pos retorikës agresive, arrogante dhe kërcënimet edhe me dhunë, duke delegjitimuar çdo pretendim, edhe ashtu jolegjitim mbi Trepçën. Pra, zhurma që bën, e paraqet Serbinë një shtet që mundohet me dhunë, pra në mënyrë kundërligjore, dhe jolegale të pretendojë të përvetësojë pronat dhe pasuritë e Kosovës. Në fakt, ligji për Trepçën ka bërë që të fillojë të kthjellë mendjet e segmenteve të caktuara serbe, të cilët deklarojnë se Serbia nuk ka çka të bëjë për Trepçën, pasi ajo është pronë e Kosovës, kurse kapakun ia vuri Çedomir Jovanoviq, i cili i quajti destabilizuese deklaratat e presidentit serb, të bëra në Rusi.