Ligji i gjuhëve në Maqedoni, politika shqiptare përshëndet vendimin

14.03.2018 23:32:06

Partia Demokratike e Shqipërisë ka komentuar miratimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhësisë, në seancën e sotme.

Përmes një deklarate për mediat, partia më e madhe opozitare në vend e konsideron këtë hap si pozitiv në përmirësimin e bashkëjetesës mes komuniteteve.

“Ky votim është nje hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë”.

Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.

Po ashtu, Partia Demokratike mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik.

Meta: Akt historik me rëndësi madhore

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas kalimit në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit për gjuhën shqipe.

Votimi i ligjit është vlerësuar nga kreu i shtetit si një akt  i rëndësishëm historik.

Sipas Metës, ky hap i parlamentit të vendit fqinj është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë.

“Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë. Urime!”, shkruan Meta në faqen e tij në Facebook.

Bushati: Arritje për shqiptarët

Edhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka përshëndetur vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për zyrtarizimin e përdorimit të Gjuhës Shqipe në institucionet shtetërore atje, duke theksuar se vendimi përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

“Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të Presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Finalizimi i kësaj sipërmarrje të vështirë dhe këmbëngulja e demonstruar pavarësisht pengesave të panumërta është dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.

Zbatimi i duhur i ligjit dhe vendosja e mekanizmave të monitorimit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat evropiane”, – shkruan Bushati.

Miratimi me 64 vota i ligjit të gjuhës u shoqërua me përplasje të forta mes kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferri, dhe ish-kreut të qeverisë, Nikolla Gruevski.