Ligjvënësi i LDK-së, Fetah Rudi thotë se kauza e tij do të jetë zbulimi i vrasjeve të pasluftës dhe fuqizimi i personave me nevoja të veçanta

09.11.2019 14:03:25

Deputeti me nevoja të veçanta zotohet se do ta shtyjë përpara edhe kauzën e zbardhjes së vrasjeve të pasluftës të eksponentëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi edhe vetë nga pasojat e një atentati ndaj tij ka mbetur në karrocë të invalidëve.

Fetah Rudi, tashmë deputet i zgjedhur i LDK-së, do të jetë i pari i zgjedhur nga populli, që në vendin e punës do të shkojë me karrocë invalidësh, e që fatkeqësisht sipas tij, legjislativi i vendit nuk ka menduar që t’i krijojë kushte të përshtatshme kësaj kategorie.

Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë se tema që ai do ta shtyjë përpara do të jenë vrasjet e pasluftës të ish-kolegëve të tij partiak, të cilat sipas tij, janë kryer nga strukturat kriminale të ish- Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

“Viktimë e këtyre atentateve të pasluftës jam edhe unë, e që tash e 19 vite kam mbetur në karrocë. Vrasjet politike janë plaga më e madhe e pasluftës në Kosovë, dhe si e tille ato duhet të zbulohen. Pa zbulimin e tyre liria e Kosovës nuk është e plotë”, ka theksuar Rudi.

Ai ka thënë për Telegrafin se vrasjet e pasluftës është dashur të zbardhen shumë më herët, por kjo vonesë, sipas tij, ka ndodhur për shkak se drejtësia kosovare është marrë peng nga njerëz që kanë qenë dhe janë të përzier në këto vrasje.

“Ndoshta shpresë për zbulimin tyre mund të jetë Gjykata Speciale. Kjo është shpresa e fundit për zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, ku viktimë dhe cak i tyre kanë qenë aktivistë të LDK-së”, ka shtuar Rudi.

Deputeti nga Malisheva ka thënë se fushë tjetër ku ai do të angazhohet do të jenë edhe personat me aftësi të veçanta, kategori e cila, sipas tij, është më e anashkaluara në Kosovë. E, thotë se askush nuk do të mund të dijë më mirë se ai t’i adresojë nevojat dhe kërkesat e tyre në raport me institucionet.

“Mendoj që është vlerë, sepse për herë të parë në historinë e Kosovës, do të jetë një deputet me aftësi të veçanta, e që gjithsesi do të angazhohem që këtij grupi shoqëror tu përmirësohen kushtet për jetë, dhe tu afrojmë ndihmën që kanë nevojë, pasi siç dihet në çdo institucion në Kosovë dhe në çdo cep të qyteteve të Kosovës, mungojnë kushtet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara. Në pak institucione shtetërore ekzistojnë laurat në hyrje të tyre, pastaj është problemi me shkallët, ku personat me aftësi të veçanta janë të hendikepuar të lëvizin me karrocat e tyre. Derisa, nëpër qytete vazhdon te jetë gjendja e rëndë, ku mungon infrastruktura e nevojshme për lëvizje me karrocë, problem të cilin e kam hasur vazhdimisht edhe unë si përdorues i saj”, ka shtuar Rudi.

Ai ka thënë se shqetësuese është se si Kuvendi i Kosovës nuk ka kushte për personat me aftësi të kufizuara, duke theksuar se me problematikë të njëjtë ai është përballuar gjatë 13 viteve sa ka qenë asamblist i LDK-së në Malishevë, nga viti 2000 deri në vitin 2013.

“E vështirësia më e madhe ka qenë sepse salla ka qenë në katin e tretë, por fal vullnetit të madh që kam pasur dhe e kam ende tani për të punuar në shtetndërtimin e Kosovës, unë ia kam dal. E jam i bindur që edhe tani do t’ia dal edhe në Kuvendin e Kosovës. Mua me kanë votuar mbi 12 mijë qytetarë të Kosovës, besimin e të cilëve nuk do ta tradhtoj asnjëherë.  Është obligim dhe detyrim ligjor i Kuvendit te Kosovës, jo vetëm për deputetët me aftësi të veçanta, por për të gjithë personat e kësaj kategorie të krijojë kushtet e nevojshme. Unë besoj që Kuvendi i Kosovës tashmë ka filluar edhe të mendoj për plotësimin e kushteve, te cilat duhet të jenë për një deputet me karrocë”, ka shtuar Rudi.

Ndryshe, me 15 dhjetor të vitit 1999 kishte ndodhur atentati ndaj Fetah Rudit, gjatë kohës që ishte në takim me kryetarët e degëve të LDK-së, te shefi i LDK-së aso kohe, Ibrahim Rugova.

Pasi kishte përfunduar takimi, rrugës për në shtëpi, në fshatin Bytyq, është sulmuar nga një breshëri armësh, me ç’rast nga plumbat e marrë ai kishte prej asaj kohe ka mbetur në karrocë