Limaj, i tensionuar në gjykatore (Video)

18.07.2017 21:06:26

I akuzuar për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre zyrtare, Fatmir Limaj – që është lider i partisë Nisma për Kosovën – ka zhvilluar një debat me tone të larta me prokurorin dhe gjykatësin e EULEX-it.

“Duhet të respektosh Ligjin jo të thuash çkado që do; ka rregulla për t’u respektuar këtu. A mundeni me na pa njëjtë? Me i respektua të drejtat tona. Si të qetësohem, po bëni hajgare, po luani këtu. Duhet të respektohet Ligji e jo të e lejoni (prokurorin Hardaway) të bëjë çfarë të dojë”, ka thënë Limaj.

Ky tension erdhi si rezultat i pyetjeve të prokurorit Charles Hardaway për dëshmitarin Ali Aliu.

 

Hardaway gjatë seancës e ka ballafaquar dëshmitarin me disa komunikime mes tij, Arsim Lokshit dhe Beqir Dedës (ky i fundit ish-i akuzuar në rastin e njohur si MTPT 2, por që Prokuroria kishte hequr dorë nga përndjekja penale e tij). I thirrur për të dëshmuar, Aliu për gati pesë orë – sa ka zgjatur gjykimi – është përgjigjur me “Nuk e di” në pyetjet e prokurorit.

Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre në rastin e njohur si MTPT.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të, nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.