Limaj: Invetimet në bujqësi prioritet i NISM-ës në qeverisje

28.05.2017 14:39:49

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka paralajmëruar se me Nismën në Qeveri nuk do të ketë pabarazi në shoqërinë kosovare.

Ai ka garantuar se do të rrisin minimumin e pagës mujore edhe në sektorin privat dhe do të rrisin mbështetjen e bizneseve në vend.

Limaj ka thënë se në Kosovë janë 25 mijë familje të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar dhe me Nismën në qeveri, ai ka thënë se këtyre familjeve do t’u punësohet së paku nga një anëtar.

Lideri i Nismës ka thënë se investimet në bujqësi janë prioriteti kryesor i Nismës në qeverisje. Madje ai ka premtuar investimin e 400 milionë eurove në këtë fushë.

Ai ka shpjeguar në detaje planin e Nismës për krijimin e këtyre vendeve të punës.

“Kjo bëhet në bashkëpunim me biznesin e vogël dhe të mesëm. Institucionet të ndërtojnë kontrata me biznesin për punëtorin qe është në pritje të punës në qendër sociale. Vitin e pare shteti e paguan pagën për punëtorin, ndërsa biznesi ia jep zanatin e punës dhe e largon nga rruga. Ndërsa dy vitet tjera është biznesi qe e paguan punëtorin tashme të kualifikuar për atë punë. Ne Kosovë kemi shume biznese te vogla dhe të mesme qe janë të gatshme me fillu me këtë projekt”, ka thënë Limaj.

Ministrat të cilët do të jenë nga Nisma në qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj, Limaj thotë se do t’i japin një pamje tjetër biznesit në Kosovë.

“Nisma do të ketë energji për të pasur një qeveri reformatore qe do të futet në reforma të thella ne të gjithë sektorët, për t’i dhënë mundësi punësimit. 25 mije vende pune është prioritet kryesor i yni, për faktin se Nisma është socialdemokrate dhe ka një pakete sociale qe prek direkt qytetarin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sa i përket gjendjes në arsim, Limaj ka thënë se do të fillohet me një reformë të thellë në arsim për t’i dhënë prioritet shkollave profesionale. Vetëm në këtë forme, sipas tij, do të përgatiten të rinjtë për të marrë përgjegjësi të plotë për fushën e vet.