Limaj ndryshon qëndrim: Shfuqizimi i Speciales, më i dëmshëm se themelimi i saj

28.01.2018 22:10:56
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj po thotë se shfuqizimi i Gjykatës Speciale do të ishte më i dëmshëm se që ka qenë themelimi i kësaj gjykate. 

Këto deklarime zëvendëskryeministri i Kosovës i bëri në një tubim të partisë sot gjatë ditës.

Ai ka thënë se Specialja duhet të hiqet nga rendit i ditës, dhe duhet të vazhdohet me temat e tjera më të rëndësishme për vendin.

Limaj ka rikuajtuar qëndrimin e Nismës në vitin 2015 që ka qenë kundër themelimit të kësaj gjykate.

“E kthyem një temë që është e harrua. Ne edhe në vitin 2015 kemi qenë kundër gjykatës. Ne asnjëherë nuk mundemi me i thanë jo drejtësisë.  Ne i kemi thanë po adresimit të krimit, por jo qysh po doni me thanë ju. Ne kemi thanë, ne duan drejtësi e cila vrapon pas provave e jo pas përkatësisë etnike apo emrave të përveçëm. Ata nuk kanë ditë as çka po nënshkruajnë”, ka deklaruar Limaj.

Sipas kryetarit të partisë, Nisma as nuk mund ta ndalë, dhe as ta shfuqizojë Gjykatën Speciale.

Ai thotë se një vendim i tillë do të ishte shumë i vonë kur dihet se kjo gjykatë vetëm pritet ta nisë punën.

“Ne kemi thanë se saherë që vjen në parlament, ne e votojmë, e votojmë ndryshimin e asaj gjykate,. Por ne duam që iniciativa të ketë përgjegjës, të ketë adresë. Si ka qenë votimin i gjykatës i dëmshme për Kosovën në 2015’ën, shumë ma shumë është i dëmshëm shfuqizimi i saj në mënyrën qysh ka ndodhë”, ka shtuar ai.

Ndryshe duhet theksuar se nënshkrues të kërkesës për seancë të jashtëzakonshme për rrëzimin e Speciales, ishin edhe deputetët e Nismës për Kosovën.