Limaj: Udhëtimi i përbashkët në Bruksel ka të bëjë me liberalizimin e vizave

13.07.2018 21:19:15

Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe Ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini në Bruksel.

Ata do t’i konfirmojnë Mogherinit përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për dialog me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës.

E gjithë kjo u vendos, në një takimi të përbashkët të krerëve shtetëror.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka thënë se takimi i sotëm mes udhëheqësve të institucioneve të Kosovës nuk ka të bëjë farë me Ekipin Negocitor të Kosovës i cili do t’i udhëheq bisedimet me palën serbe në Bruksel.

“Më 18 korrik do të udhëtojmë si përfaqësues të shtetit në Bruksel ku do të flasim për liberalizimin dhe tema tjera të rëndësishme për Kosovën. Në presim që në ditët në vazhdim pas bisedimeve mes pozitës dhe opozitës të bëhet Ekipi Negociator dhe më pas të fillojë dialogu me Serbinë. Pasi të behët ky ekip ne edhe do të flasim për tema konkrete në Bruksel”, ka thënë Limaj.

Në takimin e së mërkurës Kosova do ta konfirmojë vullnetin e saj që është e gatshme që t’i mbyllë çështjet e hapura me vendet fqinje dhe pastaj pas krijimit të ekipit për negociata atëherë mund të bisedohet për ide, platformë dhe parimet e dialogut.