Lindita Kurti: Ju tregojme per krijuesen poete, bshkatdhetaren tone, ne Athine

20.11.2019 22:17:54

Nga: Prof.Murat Gecaj

LINDITA KURTI: POEZIA LINDI ME MUA, ERDHI TEK UNË,     AJO MË GJETI MUA…

1.Përshëndetje, mike Lindita! Është kënaqësi, që po e zhvillojmë këtë bisedë bashkë… Së pari, a mund t’u tregosh diçka lexuesve, sigurisht shkurt:Për vëndlindjen, prejardhjen e të parëve  tu?

-Edhe unë, ju përshëndes e ju falënderoj për këtë bisedë të këndshme, miku im i nderuar, prof.Murat Gecaj!. Ndihem e vlerësuar, në miqësinë tuaj elitare…

Jam lindur e rritur, në fshatin rreth Tapi, Kuçovë-Berat, më 1 maj 1972.. Vij nga dy prindër të mrekullueshëm, babai nënoficer dhe nëna normiste.

Do dëshiroja shumë, të kthej kohën pas, atje ku hapat e parë i hodha në atë vendlindje të bukur, me njerëz fisnikë, të mbushur zemrat plot dashuri. Vendlindja gjithmonë mbetet çerdhja jote më e dashur. Se është vendi, në të cilin jeta buzëqeshte gjithnjë.

 

2.Po prindërit dhe fëmijërinë tënde, si i ruan në kujtesë?

-Prindërit e mi ishin njerëz të thjeshtë dhe të dashur. Ata kanë bërë çdo gjë, që jeta jonë të ishte sa më e bukur dhe e lumtur. Na falnin ngrohtësi dhe ledhatime, me aromë hyjnore. Edhe pse kishim një fëmijëri të vështirë, ajo ka qenë e bukur. Kishim dashuri ndërmjet njëri-tietrit. Dashuria ishte themeli i  çdo marrëdhënieje. Prindërit gjithnjë na mësonin të jepnim, nga ajo që kemi, duke na thënë se, të dhurosh dashuri, do të thotë të japësh nga ajo, që ti ke dhe jo nga çfarë e meriton apo jo tjetri. Nga ata e kam mësuar dashurinë, pa kushte.

Gjithmonë, ata na jepnin edukim dhe përkëdhelje, që të mos ndiheshim kurrë, se na mungonin dhe gjërat më elementare. Ishte bukur, kur na zgjonte dora e nënës dhe jo zilja e telefonit. Vite të arta dhe pse me plot vështirësi. Mendoj se kemi qenë të bekuar, duke u rritur me një frymë thjeshtësie dhe butësie njerëzorë. Edhe pse jo pa mjerim dhe vuajtje, thesaret e shpirtit tonë ishin të pashterrshme.

3.Nga vitet e shkollimit, cilat mbresa të kanë shoqëruar gjatë jetës tënde?

-Duke mos patur mundesitë ekonomike, shkollimi im nuk ka qenë ai, që kisha ëndërruar. Mbarova tetëvjeçare dhe bujqësoren, me një mesatare të lartë. Bursa më doli për mësuese, por pamundësitë ekonomike nuk më lejuan të vazhdoja me lart, dhe pse dëshira ime  ishte e madhe. Megjithatë, ajo gjë, me të cilën ke lindur, do të jetë me ty gjithmonë, pavarësishtë arsimimit. E kam fjalën se, unë dhe poezia lindëm bashkë. Unë shkruaja vargjet dhe vargjet përshkruanin mua,  vetëveten time, ndjenjën time. Për mua, poezia ishte gjuha e shpirtit tim. Kur dëgjoja vargjet e mia, të lexoheshin nëpër konkurse, kënaqesia ishte e papërshkruar. Gjithashtu, në shkollë më pëlqenin letërsia dhe gjuha e huaj, anglishtja. Mbase, pasioni im i të shprehurit në vargje më afronte me gjuhën shqipe. Ndërsa gjuhën angleze e shihja si një mjet të fuqishëm, për të hyrë në botën e shkrimtarëve të mëdhenj, për t’u futur në poezinë botërore.

Poezia të jep mundesinë të shprehesh me fjalë shpirti, atë që fjalët e dala nga mendja nuk e shprehin dot. Gjatë thurjes së poezive fjalët më të bukura, mjaltin e vargut poetik, e derdhja për prindërit,ku dashuria për ta s’ka fund, se ata për mua janë shenjtorët e së vërtetës dhe idealeve të jetës. Gjithashtu, shkruaja për Atdheun, i cili për ne është i shtrenjte, na jep identitetin dhe ne i japim identitetin atij. Mesuesi ka qenë gjithnjë i pranishëm në vargjet e mia. Mësuesi trajtohet si një prind i dytë, që na nxitë të vazhdojmë rrugën drejt dijes, pa harruar që, në rradhë të parë, të jemi njerëz me virtyte njerëzore. Të qenit njeri është vlera më e madhe njerëzore. Në fakt, kjo vlerë njerëzore nuk duhet té ishte tipar dallues, por gjëndja normale e një njeriu, pasi të jesh njeri është i vetmi qëllim i tërë jetëss sonë. Mbeten mbresa të papara, me një shoqëri të çiltër ndërmjet nesh, kur sot, për fat të keq, kjo gjë sa po vjen e zbehet!

4.Ju keni kaq vite në emigracion, familjarisht… Si i kaluat vështirësitë e fillimit dhe si u përshtatë me jetën aty, njerëzit, punën etj?

-Jetoj në Athinë me familjen,prej 25 viteve, me bashkëshortin dhe dy djem. Dy ëngjëj që erdhën në jetë një ditë të paharrueshme, një përzierje e lumturisë, ndërmjet gëzimit dhe vuajtjeve.Mundohesha të kisha zemër dielli, ku të ngrihej gjithkush, t’i dua deri në vdekje, zhurmën e fuqishme në shpirt e fshihja se, për mua, përkushtimi në familje ishte krenari. Vrapoja pas së vërtetës dhe pse bota ishte kundër. Doja të shkruaja librin e jetës sime sa më bukur, ku të shfletohej dhe mbetej një shembull për brezat e ardhshëm.Në çdo situata të vështira, kur ndodhesha, fëmijëve mundohesha t’u jap guxim, duke u thënë, “do kalojë dhe kjo, biri im!”. Kjo plagë dhëmb gjitnjë, por do mbetet histori për ne. Ndërsa, nëse vjenë dita ta tregojmë, do jetë shëmbull që dhimbja nuk na trembi. Fëmijët habiteshin dhe më pyesnin: “Deri kur ,Nënë? Deri kur?” “Sa të mundemi,- ju thosha,-sepse ka dimër, por ka dhe verë. Bota është sferë, bir, rrotullohet dhe fati ynë, gjithashtu…”.

Kërkohen durim dhe sakrifica, gjithmonë, për të patur një familje të shëndoshë. Të jetosh në një vënd, nga i cili nuk ke lindur, është si të bësh një pemë të lulëzojë, aty ku nuk ka mbirë.  Nuk ka qenë aspak e lehtë. Ndjehesh e dyzuar, trupi dhe shpirti nuk janë në sinkroni. Malli bën të tijën. Por, njerëzit që kemi takuar, që kemi njohur, i krijuan kushtet dhe mundësitë kësaj peme, të shkulur nga toka, nga e cila ka mbirë dhe të rritet e të lulëzojë në një vend tjetër.

Ne fillimisht në emigracion ishim si peshku pa ujë, ndiheshim të ndrydhur, sepse dhe gjuha, që nuk dinim, na e bënte jetën dhe më të vështirë. Por dua të them se, për fatin tonë, qëlluam me njerëz të mirë, ku asnjëherë nuk e ndihem vetminë dhe racizmin.. Përkrahja e tyre na e bëri dhe më të lehtë emigrimin.. Kudo gjenden njerëz, që brënda shpirtit nuk ushqejnë urrejtjen, por dashurinë. Kështu që, pas tyre, dhe ne ecnim përkrah e jo përballë dhe pse edukatën dhe mirësjelljen e kishim në gjak.Duke qenë të bashkuar dhe me një komunikim të kuptueshëm, kapërcyem c’do vështirësi.

Punova, si fillim, kujdestare e një moshatareje,punë të ndryshme bujqësie, që për ne nuk ishte fare e lehtë, që të siguronim të ardhura për familjen. Më pas, punova rrobaqepëse, shumë vite, njëkohësisht dhe si biznesmene.

5.Ke kaluar probleme shëndetësore… Si i përballuat ato dhe si ndiheni tani?

-Në lidhje me shëndetin kam pasur një periudhë të vështirë. U diagnostikova me një sëmundje të rëndë!? Ishte një situatë mjaft e keqe, si për mua dhe familjen time, kur shihja se po më shëmbej toka nën këmbë!?

Përveç trajtimeve, që kam marrë e mbështetjes së bashkëshortit tim dhe gjithë njerëzve të mi të dashur, jetoj duke qenë shumë mirënjohëse ndaj të gjithë atyre, që ishin e janë pranë meje. Por ishte dhe energjia pozitive, që buronte brenda meje. Duhet të jemi pozitivë, t’i pranojmë situatat dhe, të udhëzuar nga intuita jonë, të bëjmë atë, që duhet më e drejtë. Duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes, vetëm gjënë e duhur bën njeriu në jetë. Besoj fort, se çdo shërim nga sëmundja, vjen nga brenda vetes tënde…

6.Ti e ke gjetur qetësinë shpirtërore, duke thurur e botuar poezi, megjithëse nuk ke mbaruar shkollë të këtij profili… Kur nise të shkruash, së pari dhe cila ishte nxitja kryesore ose mbështetësi yt, në këtë drejtim?

Siç thashë edhe në fillim, ajo gjë, që lind me ty, nuk të lë kurrë. Kështu dhe poezia ishte me mua dhe ma bëri emigracionin më të lehtë, duke më dhënë mundësinë, që përvojat e mia të kthehen në arritje. Kam shkruar që në fëmijëri vjersha, që i kushtoheshin Atdheut, udhëheqësve, nënës etj etj.  Të tilla poezi krijonim në atë kohë dhe ndjenim kënaqësi, kur lexoheshin para shkollës. Përveç poezisë, pasion për mua ishte dhe piktura, që për mua mbetën dy faktorë kryesorë, për të përballuar çdo vështirësi.Shkruaja dhe çdo krijim mbetej në sirtar prej vitesh. Rregullisht,  fillova të shkruaj e publikoj, para 6 vjetëve, në fb, duke më ndjekur shumë admirues të poezisë. Çdo ditë më nxitnin dhe më tepër duke komentuar që të vazhdoja të shkruaja e publikoja. Kështu, arrita që të botoj në gazeta të ndryshme, portale, antologji, si dhe interpretime nga aktorë, duke i hedhur në yotoob.

Besoj se qetësia shpirtërore më ka gjetur mua. Poezia lindi me mua, erdhi tek unë, ajo më gjeti mua. Qetësia e shpirtit dhe poezia kanë një burim. Nuk është e nevojshme shkolla për të shprehur atë, që ka lindur para shkollës. Poezia, për atë që ka, është shpirti i tij. Mbështetësit e mi kryesorë kanë qenë prindërit. Më pas familjarët, bashkëshorti me dy djemtë, që për mua ishin frymëmarrja ime, si dhe miqësia e shoqëria. Pa mbështetjen e të gjithëve, nuk do ta bëja këtë rrugëtim të bukur në udhën e krijimtarisë poetike.

7.Cilët janë librat, që ti ke botuar dhe tematika kryesore e poezive, që ke shkruar?

-Kam botuar 2 vëllime. “Rilinda për të jetuar” dhe “Melodi shpirti”.

Vëllimi i parë, titulluar “Rilinda për të jetuar”, ka bazë tematikën, që flet për një grua të hekurt, e cila dhe pse pa vdekjen me sy, gjeti forca brenda vetes të mbijetojë. Aty, nëpërmjet poezisë, shprehi qartë, sesi ajo arriti të rilindë, duke dhënë mesazh për pasardhësit, se njeriu vdes vetëm atëherë, kur i dorëzon armët vetë!?

Vëllimi i dytë “Melodi Shpirti” flet për dashurinë e pastër, si kristali, ku të gjithë duhet ta kultivojnë brenda vetës, për të patur një rrugë të ylbertë.

8.A ke dorëshkrime të tjera, që mund ti botosh në libër dhe kur e mendon këtë gjë?

-Siç jam shprehur dhe më lart, poezia për mua është jetë. Kam shumë dorëshkrime pa botuar ende, për arsye ekonomike. Se, siç e dimë, nga libri dhe pse botojmë, asnjë nuk është pasuruar. Ata mbeten aty, duke shpresuar se një ditë do ta shohin dritën e botimit, gjithmonë me ekonomitë tona, sipas mundësive. Por jam duke përgatitur edhe një roman, i cili shumë shpejt do të jetë në duart e lexuesve. Këto botime, që do bien në duart e tyre, do të jenë një mbështetje e madhe për mua, pra të realizoj një ëndërr, që kaq vite e vuajta në shpirt, me djalin e vogël, duke e patur me aftësi të kufizuara 16 vjet, pa asnjë të drejtë ndihme nga shteti, ku jetojmë si të huaj dhe  çdo gjë e përballuam me forcat tona.Kështu, më lindi ideja të marr një nismë për të ndihmuar sadopak të gjithë ata fëmijë me epilipsi, autikë, si dhe jetimë… Njeriu, që jetës i ka parë anën më të errët, bëhet edhe më i ndjeshëm ndaj dhimbjes së dikujt.. Pasuria, që kemi në shpirt, vlen më tepër se ajo materialiste.

9.Si e kalon kohen e lire? A merr pjesë në ndonjë veprimtari të bashkëatdhetarëve tanë, në Athinë?

-Të shkruaj është pasioni im, dhe kohën e lirë e kaloj duke lexuar libra nga autorë të ndryshëm, të huaj, por dhe shqiptarë, përderisa është kënaqësi për mua. Gjithashtu, gjatë kohës së lirë, marr pjesë në veprimtari të ndryshme, por me pak pjesëmarrje, për arsye shëndeti. Shkojmë dhe për të ndjekur ndonjë shfaqje, që na pëlqen, nga aktorë të mirënjohur, si dhe duke dëgjuar muzikë, ku shumë e dëshiron një shpirt i lënduar nga jeta.

10.Çfare ke deshirë të shtosh, në mbyllje të kësaj Bisede?

-Meqë po me jepet rasti, dua të shtoj diçka në lidhje me rininë. Kohët kanë ndryshuar në madhësinë e mendjes, ndërsa në hapësirën e hyjnores brenda nesh, koha jo vetëm ka ndryshuar, por besoj se nuk ekziston! Sot kemi shumë të mira materiale, të cilat për jetën, sipërfaqësore, janë zbavitje, sikurse mendimet për mendje. Ndërsa hyjnorja jonë, shpirti ynë, është i pakohë.Ai kërkojnë gjithmonë të qëndrojë në një gjendje, ku dallgët e jetës dhe të kohës nuk depërtojnë. Kjo thellësi është vetëvetja jonë, brendësia jonë.Përveç qetësisë së mendjes, nuk ka tjetër burim për të arritur ato thellësi.

Do t’i nxisja të rinjtë e të  rejat, që të lexojnë sa në shumë, të jenë sa më pranë librit, ta zgjedhin materialin për lexim, të vetëedukohen dhe vetëfrymëzohen nga literatura. Duhet të bëhen të vetëdijshëm dhe ta ushqejnë shpirtin e tyre. Më pas, do të vërejnë se vetë jeta e tyre është poezi, dhe, nëse shtyhen më thellë vetes së tyre, do të zbulojnë hapësira dhe potenciale të pafund. I gjithë Universi është brenda nesh, duhet vetëm ta zbulojmë.

E pëlqej artin dhe nëpërmjet tij dëshiroj të përcjell mesazhe të vlefshme për një të ardhme të ndritur. Falënderoj, gjithashtu, gjithë gazetarët, publicistët e portale e të ndryshme, që na japin mundësinë për të publikuar krijimet tona! Fjala jonë e bukur artistike le  të arrijë në duart e çdo lexuesi, si dhe publiku, që janë një mbështetje e fortë për ne.

-Ishte kënaqësi komunikimi me Ju dhe uroj nga zemra suksese në çdo aspekt…Respekte dhe Mirenjohje!

Tiranë-Athinë, 20 nëntor 2019