Liria e shprehjes gazetareske ndërmjet sfidës për mbijetesë dhe vullnetit për të bërë pazare në emër të saj

03.05.2018 15:39:18

Nga Rexhep Kastrati

Kur Tomas Karlyle e ka quajtur gazetarinë si pushtet të katërt, pas atij legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, niveli i zhvillimit të saj nuk ka qenë aq i madh sa është sot. E nëse në atë kohë, gazetaria ka qenë pushtet i katërt, pra ka qenë pushtet, e që do të thotë ka pasur një fuqi të madhe, është e qartë se tashmë kur gazetaria ka avancuar aq shumë sa që është bërë pjesë e jetës, dhe e pranishme edhe në të gjitha orët, minutat apo sekondat e ditës sonë, fuqia e gazetarisë është bërë edhe më e madhe.

Mirëpo, fuqia e gazetarisë, njëherësh edhe ka qenë dhe ka mbetur rreziku i saj, në kuptimin e profesionalizimit, pasi që është përballur dhe përballet me sfida të shumta që o janë përballuar me vështirësi të shumta, o e kanë vënë në siklet dhe në lajthitje të madhe.

Gazetaria si asnjë formë tjetër e shprehjes nuk është ballafaquar me sfida të natyrës ekzistenciale, pasi që në regjimet totalitare, ishte detyruar të ishte pjesë e sistemit totalitar, kurse në regjimet jototalitare është detyruar të ballafaqohet me sfida të tilla siç janë raportet me politikën dhe me biznesin, pasi që politika është munduar ta vëjë në shërbim të sajin, kurse biznesi është munduar ta vëjë në pozitë të varësisë financiare.

Në fakt edhe politika edhe biznesi kanë përdorur varësinë financiare që është bërë qoftë me forma të ndryshme sponzorizimi, marketingu dhe me forma të tjera legale dhe jolegale të financimit.

Mirëpo, përveç kësaj, ka qenë dhe është edhe një formë tjetër e raportit të gazetarisë me politikën e biznesin, e që është formë e shantazhit që medie të ndryshme bëjnë edhe ndaj politikës, edhe ndaj biznesit.

Në këtë mënyrë është krijuar një raport i varësisë së ndërsjellë që jo rrallë ka përdorur shantazhin për qëllime të caktuara.

Ndërkaq, e tërë kjo është ballafaquar me një sfidë tjetër e që është sfida e vendosmërisë për të mbrojtur me çdo kusht lirinë e shprehjes dhe për të mos u bërë pjesë e varësisë së ndërsjellë gazetari-politikë-biznes, por që të vazhdojë të jetojë, të zhvillohet dhe të veprojë si gazetari e mirëfilltë.

Liria e shprehjes që si koncept filozofik dhe epistemologjik është më e gjerë sesa gazetaria, dhe lufta për kufizimin apo rrënimin e saj, ka bartur në gazetari forma të ndryshme represive për të pabindurit, për heretikët e gazetarisë, që nga format e luftës speciale, e deri te eliminimet fizike.

Të kundërt me këta, janë ata që pranojnë të shesin lirinë e tyre të shprehjes gazetareske, dhe gazetarinë e përdorin për biznes, për t’u parashutuar në politikë dhe për përfitime të tjera personale.

Gazetaria në Kosovë ka nga të gjitha këto, dhe shumica janë të përshirë në raport varësie të ndërsjellë me politikën dhe biznesin, bëjnë pazare me lirinë e tyre të shprehjes gazetareske dhe shumë më pak janë ata që mbrojnë lirinë e tyre gazetareske, profesionalizmin dhe dinjitetin e tyre me çdo çmim.

Në fakt, në Kosovë më lehtë ëstë të shesësh lirinë e të shprehurit gazetaresk, sesa ta mbrosh atë. Në Kosovë janë vrarë gazetarë, të tjerë janë ballafaquar me forma ndër më të egra të luftës speciale e deri te rrezikimi i ekzistencës biologjike.

Një shtet dhe një shoqëri që nuk respekton lirinë e shprehjes gazetareske, e më keq, e lufton atë dhe ata që e mbrojnë atë, ka cenuar rëndë themelet e ekzistimit të saj.