Liria e shprehjes si mbrojtje nga despotizmi politik*

03.05.2017 10:21:17

Nga Rexhep Kastrati

Xhon Stjuart Mil, një ndër teorikët më të njohur, në librin e tij, Mbi lirinë, thotë se “E vetmja liri që e meriton këtë emër, është liria që të kërkojmë të mirën personale në mënyrën tonë, aq sa nuk përpiqemi që t’ua shkurtojmë të tjerëve, ose që nuk i pengojmë ata në përpjekjet që ta arrijnë atë.”. Kjo thënie, në mënyrë të qartë, lirinë e sheh si një element utilitar, që ka për qëllim të mirën personale, por edhe tregon kufijtë e lirisë në kuptimin e mospengimit që edhe të tjerët ta arrijnë këtë. Por pikërisht kufijtë e lirisë, që Xhon Stjuart Mil i përcakton me mospengimin e të tjerëve për ta arritur atë, e që është përcaktim që më vonë është bërë edhe pjesë e së drejtës juridike, por edhe morale dhe shoqërore, janë bërë bazë e cenimit të lirisë, në kuptimin e lirisë së shprehjes, por edhe të lirive të tjera. Në të vërtetë, këto kufizime janë bërë në emër të moscenimit të lirisë së të tjerëve, e që është një shpërfaqje e mendësisë autoritariste, si dhe i koncepteve të mbrapshta për nënshtrimin e lirisë individuale ndaj lirisë kolektive. Zaten, në mendimin perëndimor, është bërë një debat shumë i gjerë ndërmjet libertarianëve dhe konservatorëve, por edhe ndërmjet barazitistëve dhe komunitarianëve, pikërisht për raportin e lirisë individuale dhe kolektive, dhe është një debat, edhe pse ka rezultuar me një kompromis që i ka dhënë të drejtë lirisë individuale, që, nuk ka përfunduar kurrë. Dhe ky debat bazën e ka në teoritë politike që kanë zënë fill pak më herët me mendimet teorike të Nikola Makiavelit, Tomas Hobesit, Zhan Zhak Rusosë, etj., e të cilat mendime kanë pasur në qendër të tyre raportin e shtetit dhe qytetarëve. Me këtë rast, ky raport, është paraqitur si raport ndërmjet individit dhe kolektivitetit, sepse përderisa Nikola Makiaveli, te Shtetari, individit të veshur me pushtet ia njeh të drejtën e sundimit mbi kolektivitetin, Tomas Hobesi, niset nga karakteri konfliktual që ka individi, i cili e ka të mjaftueshëm vullnetin për luftë, kurse pushtetin e konsideron si një mekanizëm për ta penguar këtë. Më konkretisht, Tomas Hobes, despotizmin dhe tiraninë i sheh si mënyra për të penguar luftën që njeriu bën kundër njeriut. Te “Leviatani”, Hobes, thotë konkretisht: “Është e dukshme se njerëzit derisa jetojnë pa një pushtet të përbashkët, i cili i mban të gjithë në frikë, jetojnë në atë gjendje, e cila quhet luftë, dhe kjo luftë është e tillë, në të cilën secili njeri është kundër secilit njeri.”. Në një situatë të këtillë, liria e individit është vetëm liri e sundimtarit për të sunduar, ose edhe kur ajo duhet të kufizohet për shkak të natyrës së keqe që ka njeriu, liria e shprehjes as që vjen në shprehje për të qenë pjesë e debatit shoqëror. Ajo që Zhan Zhak Ruso, në Kontratën shoqërore, e quan sovranitet të popullit, e që ia heq këtë sovranitet sundimtarit apo ndonjë pushteti ekzekutiv, edhe pse duhej të ishte rishikim  i teorive të Nikola Makiavelit dhe të Tomas Hobesit, në të vërtetë, u bë bazë e përkufizimeve juridike të shtetit, por edhe u bë bazë e cenimit të lirisë individuale, edhe në kuptimin e lirisë së veprimit, edhe në kuptimin e lirisë për të pasur pikëpamje, botëkuptime dhe ide që mund të mos jenë në përputhje me një pikëpamje, botëkuptim apo ide që mund të ketë fituar, apo mund të jetë imponuar si kolektive. Dhe kjo situatë, apo kjo gjendje, që në të vërtetë, ka të bëjë me statusin e pikëpamjeve, botëkuptimeve apo ideve, ka qenë bazë e cenimit edhe të lirisë së shprehjes së tyre. Kështu ka zënë fill edhe censurimi i pikëpamjeve të ndryshme, që konsiston në ndalimin e së drejtës për të pasur pikëpamjet, botëkuptimet dhe idetë vetanake, si dhe lirinë për t’i shprehur ato. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me kufijtë e lirisë, apo me vetë lirinë, të shpërfaqur nga Xhon Stjuart Mili, dhe që u bë pjesë e së drejtës juridike, sepse censura pikërisht bën shkurtimin e lirisë, si dhe pamundëson të tjerët për ta arritur atë. Kjo ka të bëjë me aspekte karakterologjike, kryesisht me karaktere konformiste dhe oportuniste, ose me ndërveprime të ndërdijshme të këtyre aspekteve tek ata që përdorin censurën si mjet për kufizimin e lirisë së shprehjes.

Edhe pse ndalimi i pikëpamjeve, botëkuptimeve dhe ideve të ndryshme, nuk quhet censurim, ose nuk pranohet si i tillë, por argumentohet me argumente që lënë për të nënkuptuar edhe një lloj zotërimi të një mendësie politike, që imponohet si mendësi kolektive, pra edhe si vetëdije kolektive, megjithatë, në thelb, është e njëjta: cenim i lirisë së shprehjes së pikëpamjeve, botëkuptimeve dhe ideve të ndryshme, jo vetëm duke mos u dhënë statusin e res publica-s, pra të gjësë publike, por edhe duke i dënuar me vdekje. Ndërkaq, liria e shprehjes, jo vetëm që është e sanksionuar në të gjitha dokumentet e së drejtës në shoqërinë perëndimore, por edhe është një nga postulatet themelore të mendimit dhe të qytetërimit perëndimor. Vetë Xhon Stjuart Mili, lirinë e shprehjes e konsideron një nga liritë kryesore. Ai bile është shumë kritik ndaj tendencave të shtetit për të përdorur atë që quhet e mirë e shoqërisë, për veprimet e tij, sepse “ në këtë mënyrë ndërtohet arsyetimi i pengimit të lirisë së shprehjes së mendimit”. Dhe mbi lirinë e shprehjes, është ndërtuar një filozofi e tërë nga Ludvig Vitgenshtajni, nga Rudolf Karnapi etj., mbi të cilën filozofi është ndërtuar edhe teoria e veprimit komunikativ e Jyrgen Habermasit, sipas së cilës “koncepti i veprimit komunikativ zhvillon intuitën se gjuha është telos (lat.: armë – vër. R.K.) e komunikimit”. Jyrgen Habermas, flet për ndërlikueshmërinë e dinamikës së shoqërisë moderne, si një qasje që e karakterizon kuptimin për difernecimin e shoqërisë në domene të bazuara në forma të ndryshme të racionalitetit, dhe në përputhje me këtë, edhe në trajta të ndryshme të integrimeve shoqërore. Tërë kjo, sipas Jyrgen Habermasit, ka të bëjë me ato që ai i quan domene të sistemit dhe të jetës së shenjtë. Gjithsesi, në të gjitha qasjet, Habermasi ka folur për ndërlikueshmërinë e dinamikës së shoqërisë moderne, duke u bazuar pikërisht në domenet e sistemit dhe të jetës së shenjtë, që u bënë konceptet themelore në teorinë e tij për modernitetin dhe postmodernitetin, edhe në kuptimin e asaj që e quan teori e veprimit komunikativ. Dhe ky vepirm komunikativ, bazohet në situatat komunikative nëpërmjet të dhënave gjuhësore  që janë: ekspresive që drejtohen kah bota subjektive e folësit, e që shprehin përvojën e tij, afektet, emocionet e tij, normative që drejtohen kah vlerat shoqërore të sferës jomateriale, si dhe asertorike, që drejtohen kah bota reale që e rrethon folësin.  Për temën tonë, janë të rëndësishme të dhënat gjuhësore ekspresive, sepse ato i mundësojnë folësit një introspeksion intersubjektiv, pra një të vetëvërejtur ndërpersonal, e që është shumë i rëndësishëm edhe në ndërtimin e aspekteve konceptuale, edhe për vlerat shoqërore materiale dhe jomateriale. Ajo që ka rëndësi të madhe të theksohet se në shoqërinë moderne, por edhe në atë që Jyrgen Habermas, dhe të tjerë, e quajnë  shoqëri postmoderne, komunikimi, nuk trajtohet më vetëm si një funksion gjuhësor, por edhe si veprim shoqëror që ka për qëllim mundësimin e krijimit të situatave komunikative, por edhe vënien në pah të veçantive të individit si pjesë e domeneve të ndryshme shoqërore. Kjo do të thotë, edhe mundësim i shprehjes së veçantive jo vetëm konceptuale, të pikëpamjeve dhe të ideve për fenomene të ndryshme shoqërore, politike, ekonomike, sociale etj., por edhe i veçantive karakterologjike, të personalitetit, të dinjitetit dhe të integritetit individual të folësit, sepse siç thotë Viliem Humbolt “Qëllimi i fundit dhe më i larti i secilit njeri, është që sa më shumë e sa më harmonishëm t’i zhvillojë fuqitë e veta, në lirinë e tij personale, e kushtet për ta arritur këtë janë: liria e punës dhe lloj-llojshmëria e pozitave”.

Në këtë kuptim, kufizimi i lirisë së shprehjes është edhe kufizim i vetërealizimit të individit në kapacitetet e tij intelektuale, dhe shoqërore, e që më tej, do të thotë edhe pamundësim për ndërtimin e personalitetit individual, cenim i pavarësisë individuale, por edhe lëndim i integritetit personal. Dhe moscenimi i tyre, paraqet kufitjë e lirisë, sepse, edhe sipas Xhon Stjuart Milit “ekziston kufiri për përzierje legjitime të mendimit kolektiv në zonën e pavarësisë individuale, e të gjesh atë kufi, dhe të mbash atë kundër lëndimeve të integritetit të huaj, është njësoj e domosdoshme për kushte të mira të punëve të njerëzve, sikurse mbrojtja nga despotizmi politik…”. Pra kufijtë e lirisë nuk kanë të bëjnë me arsyetime të një mendësie kolektive, e as të veprimeve që më shumë sesa në përputhje me këtë mendësi, kanë të bëjnë me veprime konformiste dhe oportuniste që në mënyrë, qoftë edhe të ndërdijshme, janë në përputhje me një despotizëm politik. Në tregun e pikëpamjeve, të botëkuptimeve dhe të ideve, liria e shprehjes duhet të jetë edhe mbrojtje nga despotizmi politik, e jo e kundërta…

*Ky shkrim është botuar më 11 prill 2011 në gazetën “55”, në Tiranë! Po e risjelli të publikuar këtu me rastin e ditës së lirisë së shprehjes, edhe për shkak të aktualitetit të tij në kontekst të realitetit socio-medietik dhe socio-politik në Kosovë.