Lirimi i protestuesit të PD, policia: Skandal, gjyqtari bashkëpunoi me krimin!

13.03.2019 21:29:39

Policia e Shtetit ka reaguar ashpër kundër vendimit të Gjykatës së Fierit për të lënë të lirë, punonjësin e Bashkisë së Mallakastrës, Pëllumb Isufaj, i cili u arrestua pasi akuzohej se goditi me gur në kokë efektivin e FNSH-së, Aranit Karemani.
Isufaj u arrestua pas protestës ndaj kryeministrit Edi Rama në Fier, por sot u la i lirë dhe vendimi sipas policisë është skandaloz.
“Arroganca, shpërfillja ekstreme e ligjit dhe injorimi flagrant i provave të pakundërshtueshme dhe i raporteve të shërbimit të Policisë së Shtetit, që provonin atë që ka parë tashmë gjithë Shqipëria, janë të papranueshme. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë mbrojtjen e veçantë të ligjit, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Rreziku për jetën e punonjësve të PSH, shtohet jo vetëm nga papërgjegjshmëria e elementëve kriminalë, por edhe e gjyqtarëve të lidhur me krimin. Policia e Shtetit e ka dëshmuar me gjakun e qindra dëshmorëve, përgjegjësinë e saj publike dhe nuk mund të pajtohet me vendime skandaloze të ndonjë gjyqtari të papërgjegjshëm, vendime të cilat jo rrallë herë kanë lënë të pandëshkuar jo vetëm autorët e plagosjeve ndaj policëve, si rasti aktual i Fierit, por edhe vrasësit e tyre”, thuhet në reagimin e Uniformave Blu.
Policia e shtetit ka njoftuar gjithashtu se do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Pirro Sota, i cili dha këtë vendim.
“PSH do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore si për të mbrojtur jetën e punonjësve të saj, ashtu dhe për të vënë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët e krimit, edhe kur këta mbajnë të veshur padrejtësisht mantelin e gjyqtarit. Policia e Shtetit do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota, si dhe do të referojë pranë organeve të Vettingut dokumentacionin që provon absurditetin e vendimit të tij”, thuhet në njoftim.