Lirohen 21 vajza të rrëmbyera në Nigeri

13.10.2016 14:51:41

Njëzetenjë vajza të rrëmbyera në vitin 2014 nga grupi militant Boko Haram, në Çibok të Nigerisë, janë liruar, konfirmoi zëdhënësi i presidentit.

Garba Shehu tha se lirimi është “rezultat i negociatave midis administratës dhe militantëve islamikë”.

Vajzat e liruara janë aktualisht me forcat e sigurisë.

Boko Haram ka rrëmbyer mbi 270 vajza nga një shkollë në Çibok, në verilindje të Nigerisë, duke shkaktuar reagim ndërkombëtar.

Rasti ka nxitur po ashtu njërën prej fushatave më të mëdha në mediat sociale, me fjalët (hashtag): Na i ktheni vajzat tona!

Zëdhënësi i presidentit Muhammadu Buhari tha se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Qeveria e Zvicrës kanë vepruar si ndërmjetësues në bisedimet me Boko Haramin.