Lirohet ish-prokurorja e akuzuar për ryshfet

15.05.2017 16:46:16

Ish-prokurorja Vahide Badivuku, e cila ndodhej në vuajtje të dënimit për shkak të veprës penale marrje e ryshfetit, është liruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ky vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka ardhur 12 ditë pasi që Gjykata Supreme e Kosovës e ktheu në rigjykim në Gjykatën e Apelit rastin e saj.

Lajmin për lirimin e Badivukut, e konfirmoi zyra për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se sot me dt.15.05.2017, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka lëshuar urdhëresë për lirimin e të dënuarës V.B, pasi që Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për të dënuarën dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore për KALLXO.com

Prokurorja Badivuku ka shprehur shqetësimin e saj për mbajtjen e saj në paraburgim pa asnjë bazë ligjore.

“Unë kam ardhur në vuajtje të dënimit në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kam ardhur vullnetarisht. Unë para se me ardhë kam qenë në masën e dorëzanisë dhe masa e dorëzanisë nuk më janë kthyer ende dhe pasi që tani Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim lëndën unë jam duke qëndruar këtu, unë jam duke qëndruar në burg pa asnjë status ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës në momentin kur e ka marr vendimin prej Gjykatës Supreme është dashur të veproj dhe të riaktivizoj vendimin e dorëzanisë sepse është kompetencë e tyre”, tha sot Badivuku.

Badivuku tha se lidhur me rastin e saj do t’i drejtohet kryeprokurorit të shtetit sepse konsideron se ka elemente të veprës penale.

Prokurorja Badivuku ishte dënuar me 3 vjet burg për marrje të ryshfetit në prill të vitit të kaluar, ndërsa më pas i ishte vërtetuar dënimi nga Gjykata e Apelit.

Ndaj këtij vendimi, mbrojtja e Badivukut ishte drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.