Lista e LDK-së me integritet dhe kredo politike

Shkruan: Flamur Beqiri

Ndërsa LDK respektoi vullnetin e votuesve të vet, ajo nominoi zonjën Vjosa Osmani kandidate për Kryeministër, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, në R.I.T Kosova dhe në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA. Tri mandate, z.Osmani ishte deputete e Kuvendit të Kosovës me ç’rast në dy mandatet e fundit, ishte deputetja grua më e votuar në Kosovë. E shquar për vendosmëri dhe konsistencë në qëndrime politike, z. Osmani me këtë rast del në një nivel tjetër politik nga ai të cilin e kemi njohur deri më tani, duke i tejkaluar divergjencat dhe mospajtimet të cilat i kishte me disa nga vendimet e partisë dhe z. Isa Mustafa! Ajo kishte kundërshtuar zëshëm koalicionin me PDK, përkundër që Kryeministri ishte i LDK’së dhe nuk kishte votuar Thaqin për President. Në të njëjtën kohë brenda strukturës së LDK`së mund të ketë pasur zëra kundër nominimit të z. Osmani për kryeministër, por popullariteti i saj i rritur karshi opinionit ka bërë që ata të pajtohen me nominim të z. Osmani dhe mos ta kundërshtojnë atë. Element tjetër që fuqizon këtë kandidaturë është se çdo emër tjetër nga LDK i cili do të nominohej për kryeministër do të ofronte pasiguri tek elektorati dhe se mobilizimi i arritur me Vjosa Osmanin nuk do arrihej me të tjerët! Me këtë rast z. Osmani merr obligimin, t’i prijë kësaj liste, listë e cila mbizotërohet nga profesionistë dhe teknokratë të fushave të ndryshme. Pra, lista, në vehte përmbanë një konglomerat dijesh e profesionesh ndërsa shihet një avantazh, në numër, e natyrshme për një listë zgjedhore, i ekonomistëve karshi profileve të tjera të cilët pasohen nga expertë të fushës së arsimit, shëndetësisë dhe ligjit! Shtyllat kryesore të shtetit, që në fakt janë edhe pesë shtyllat programore të LDK’së, e që janë qeverisja dhe sundimi i ligjit, familja, punësimi, arsimi dhe shëndetësia, dhe e fundit partneriteti ndërkombëtar janë të përfaqësuara në këtë listë, duke mos lënë anash edhe përfaqësues të biznesit, artit, sportit dhe kulturtës! Lista përbëhet nga pjestarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, institucionit më të lartë shkencor të Republikës së Kosovës! Diplomatë të karrierës, ish ambasadorë, përfshirë profesorë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe profesioneve tjera të cilët ligjërojnë në Universitete të ndryshme Evropiane dhe Universitete publike dhe private të Kosovës, janë pjesë e kësaj liste. Gruaja zë vend meritor në këtë grup, tashmë e dëshmuar nga disa gra ish deputete ndërsa mbete të shihet edhe me nominimet e reja duke mos shpresuar se kjo është bërë vetëm për shkak të obligimit ligjor të barazisë gjinore. Kryetarët e disa degëve dhe anëtarë të strukturave të LDK’së i japin prakticitet dhe aktivizëm kësaj liste, marrë parasyshë punën e tyre në terren, aktivitet i cili kërkon vullnet, përkushtim dhe shumë mund për ta përfaqësuar dhe rritur LDK’në. Po ashtu lista përmbanë dhe nuk len anash edhe pjestarë të luftës çlirimtare, të cilët ishin, angazhuar për lirinë e Kosovës që nga grupet e para të pregaditura për luftë qysh në vitin 1992 e tutje e në listë ka edhe aktivistë të kahmotshëm të LDK`së të cilët pësuan fizikisht për shkak të aktivitetit të tyre kombëtar dhe vetëm për faktin se ishin anëtarë LDK`së! Lista përbëhet edhe nga ish deputetë të cilët kanë përfaqësuar LDK’në në legjislaturat e kaluara, edhe pse disa nga të cilët në disa raste nuk kishin përfillur qëndrimet e partisë dhe kishin dalë kundër këtyre vendimeve! E veqant e kësaj liste janë edhe trashigimtarët e aktivistëve të LDK’së, të vrarë në prita e pas shpine nga fara e keqe, trashigimtarë jo veq të gjakut e rrënjës por të vlerave të larta njerëzore e patriotike e të cilët janë shumë aktiv në strukturat e LDK’së dhe kanë kredo morale, politike, intelektuale dhe arsimore, të cilët përmes LDK`së ta përfaqësojnë interesin e qytetarëve, me shumë dinjitet e përkushtim në parlamentin e Republikës së Kosovës! Edhe pse LDK që nga paslufta ka pasur një shkarje me diasporën, për shkak të rrethanave të reja politike apo/edhe nga neglizhenca dhe josyqeltësia për nevojën e mbajtjes së komunikimit politik me këtë komunitet me rëndësi ajo këtë herë rikthen interesimin për diasporën dhe vendosë kandidatë edhe nga diaspora për deputet! Pra qytetarë të Republikës së Kosovës, ju të cilët besoni në shtetin e Kosovës, në Liri dhe Demokraci, edhe ju të cilët, ndoshta, në të kaluarën keni humbur besimin në LDK, me arsye, për shkak të veprimeve të pakujdesshme dhe për krijimin e partneriteteve të panatyrshme, në emër të “institucionalizmit” këtë herë kjo listë ofron siguri te votuesi dhe përmbledhë në vehte virtyte të larta njerëzore të mishruara në humanizëm, sakrificë, arsimim e edukatë, guxim e patriotizëm! Shkruar enkas për Fokusi.org, nga Flamur Beqiri Autori është aktivist politik i LDK`së