Lista e monumenteve në Gjirokastër/ Shoqata e Arkitektëve shpreh shqetësimin: Ka mungesë transparence

16.02.2017 11:52:53

Situata në trashëgiminë kulturore është e rënduar, dëmtimet vijojnë dhe restaurimet që sipas specialistëve janë larg kritereve shkencore. Qyteti në mbrojtjen e UNESCO , Gjirokastra,  ende pas shumë vitesh ndodhet në emergjencë për të shpëtuar banesat muzeale dhe karakteristike të qytetit. Shtëpitë 300 vjeçare po rrënohen.  Gjirokastra prej shumë kohësh po i “bie këmbanës së alarmit” për trashgëiminë kuluturore, ku shtëpitë 300 vjeçare po rrënohen. Një qytet që ndodhet nën mbrojten e UNESCO, përsëri  ngre velat e emergjencës. Përpos këtyre,  shqetësuese është dhe heqja nga lista e monumenteve të kulturës të kategorisë së dytë e 236 banesave në Gjirokaster pa asnjë debat paraprak, dhe duke e fshehur pas një veprimi administrativ që e quajnë shpallje e monumenteve të kategorisë së dytë.

Një shqetësim të tillë e ka ngritur dhe Shoqata e Arkitektëve, e cila ka dalë me një qëndrim publik mbi zhvillimet administrative në lidhje me trashëgiminë kulturore në qytetin- muze të Gjirokastrës. Duke u shprehur se Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe interesim zhvillimet me përcaktimet, klasifikimet dhe inventarizimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, ajo shpreh shqetësimin, që veprimet administrative të kohëve të fundit mund të rezultojnë në një reduktim të vlerave historike, arkitektonike, të trashëgimisë historike dhe kulturore për të cilën Gjirokastra është shpallur vlerë e trashëgimisë botërore nga UNESCO. “Për më tepër, shqetësim i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë është edhe mungesa e një transparence në procesin e klasifikimit, hartimit apo ndryshimit të listave të monumenteve të trashëgimisë kulturore”, thuhet në deklaratë.

Sipas shoqatës, komunikimi institucional, mungesa e informimit të publikut për procesin, informim që institucionet publike e kanë detyrim ligjor, vetëm shton shqetësimin e publikut në përgjithësi dhe të mjedisit profesionist të arkitektëve, urbanistëve, restauratorëve dhe projektuesve. “Gjirokastra mbart vlera unikale botërore dhe si e tillë, meriton vëmendjen dhe kujdesin maksimal, transparencën më të plotë në çdo hap të vendimmarrjes institucionale”. SHASH shënon se do vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet, duke i dedikuar kësaj çështjeje edhe trajtim të veçantë në Asamblenë e Përgjithshme të anëtarësisë, dhe inkurajon autoritetet për ndërtimin e një ure komunikimi në mjedisin profesional për të adresuar shqetësimin publik në lidhje me vendimmarrjet mbi trashëgiminë kulturore në Gjirokastër dhe jo vetëm.