Lista finale e asamblistëve në komunat e Kosovës

09.11.2017 13:22:49

Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur rezultatet përfundimtare për kandidatët për Asamble komunale të zgjedhjeve të 22 tetorit.

Në vijim sjellim rezultatet e asamblistëve të cilët kanë fituar ulëse në kuvendin komunal,   të tri komunave të Kosovës në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë.

Në komunën e Prishtinës, në Asamblenë  Komunale do të jenë 51 asamblistë.

Nga Vetëvendosje do të jenë 17 asamblistë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jenë gjithsej 15. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do t’i ketë gjashtë, pesë do të jenë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), katër nga Aleanca Kosova e Re (AKR),  dy asamblistë nga Lëvizja për Bashkim (LB), një nga Nisma për Kosovën dhe një nga Alternativa.

Ndërsa, në Kuvendin Komunal të Pejës do të jenë 35 asamblistë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kryeson e para në këtë komunë me 15 asamblistë, në radhë vjen me dhjetë asamblistë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga pesë asamblistë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me tre, Alternativa e Re me një dhe Nisma për Kosovën me një asamblist.

Edhe Kuvendi Komunal në Mitrovicë do të përfaqësohet nga 35 asamblistë të partive politike, të dala nga këto zgjedhje.

Asamblistët të cilët do të zënë ulëset e këtij kuvendi nga PDK-ja janë gjithsej 11-të, nga LDK-ja janë shtatë po ashtu edhe nga AKR janë shtatë asamblistë, nga LVV janë gjashtë, AAK me dy, ndërsa Nisma ka një asamblist dhe PD po ashtu një..

Rezultatet përfundimtare për asamblistë në të gjitha komunat e Kosovës mund t’i shikoni këtu:

Ndryshe, nga zgjedhjet e mbajtura më 22 tetor Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare për asamble komunale pas rinumërimit të rreth 700 kutive të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

KQZ po ashtu ka marrë vendim që në tri vendvotime në komunën e Parteshit të përsëriten zgjedhjet më 19 nëntor.

Ndryshe, më 19 nëntor organizohet rrethi i dytë i votimit për kryetarët e rinj. Gara më interesante pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha, si Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj dhe Prizren.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve LDK garon në 10 komuna, PDK në 9, Vetëvendosje në 6 komuna, AAK në 5 komuna, kurse AKR, Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga 1 komunë.