Liverpool është anti-Chelsea, mund City-in 1-0

31.12.2016 23:12:58

Super ndeshja e javës së 19-të e Premier League mes Liverpool dhe Manchester City është mbyllur me fitoren 1-0 të vendasve, të cilët kanë konfirmuar se janë i vetmi rival i Chelsea-it për titull. Në fakt, pas këtij rezultati, “Të Kuqtë” mbeten gjashtë pikë larg londinezëve kryesues, ndërsa “Citizens” kanë shkuar dhjetë pikë larg vendit tëë parë të renditjes dhe mund të humbin vendin e tretë nesër, në rast të një fitoreje të Arsenal ndaj Crystal Palace.

Tetë minuta i kanë mjaftuar Liverpool për të zhbllokuar ndeshjen. Autori i golit ka qenë Wijnaldum, i cili ka mposhtur portierin Claudio Bravo me një goditje të saktë me kokë, duke shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme pasimin e bukur të marrë nga mesushori anglez Adam Lallana. 45 minutat e para janë kontrolluar nga skuadra e Klopp, që në minutën e 29-të ka shpërdoruar një rast për të dyfishuar avantazhin, me Firmino që nuk ka arritur të kontrollojë topin e marrë nga James Milner. Ekipi i Guardiola nuk ka arritur të jetë në asnjë moment i rrezikshëm. Miqtë e kanë nisur më mirë pjesëne  dytë, por rastet për gol kanë munguar dhe rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund, me Liverpool që ka marrë fitoren e katërt radhazi në kampionat kundër City dhe ka ruajtur pathyeshmërinë në shtëpi në këtë sezon, në ndeshjet e kampionatit. Burimi/telesport.al/