Liverpool i fortë për Stoke City

28.12.2016 00:16:41

Liverpooli fitoi lehtësisht 4-1 me Stoke City në javën e 18-të të Premier Leagues, duke rimarrë vendin e dytë, me vetëm 6 pikë më pak se Chelsea. Në fakt sfida e “Anflied”  nisi keq për skuadrën e Jurgen Klopp që u gjend në dizavantazh që në minutën e 12-të me Walters që përfitoi nga pasiguria e mbrojtjes dhe portierit duke e dërguar në rrjetë topin pas një gjuajtje me kokë në shtyllën e parë. Miqtë e ruajtën të paprekur portën deri në minutën e 35-të kur Llallana në një kënd mjaft të prirët e dërgoi me forcë topin në rrjetë. Në fund të pjesës së parë Firminho lëvizi bukur në zonë dhe gjeti mundësinë për të goditur, me topin që pasi goditi shtyllën kaloi pas shpinës së Grant.

Pjesa e dytë foli për “të kuqtë” që  shënuan edhe dy herë të tjera fillimisht duke detyruar Imbulan ta devijonte topin në portën e tij. Ndërsa në të 70-ën Daniel Sturridge vulosi shifrat në 4-1. Liverpooli pati raste të tjera për të thelluar rezultatin, por fati dhe nxitimi në finalizim bënë që Stoke City të mos pësonte një humbje më të rëndë.