Liverpool për rekord, siguron Champions 3 muaj përpara përfundimit të kampionatit

16.02.2020 18:31:02
LIVERPOOL, ENGLAND - AUGUST 12: (THE SUN OUT, THE SUN ON SUNDAY OUT) Sadio Mane of Liverpool celebrates the second goal during the Premier League match between Liverpool FC and West Ham United at Anfield on August 12, 2018 in Liverpool, United Kingdom. (Photo by Andrew Powell/Liverpool FC via Getty Images)

Kampionati i futbollit më i bukur në botë, ai anglez, ndryshe nga sa ishim mësuar në vitet e tjera kur gjithçka vendosej në javët e fundit, po i jep shumë shpejt verdiktet e këtij sezoni, kjo prej formës fantastike të Liverpool.

“The reds” kanë fituar 25 nga 26 ndeshjet e luajtura dhe nuk e njohin ende humbjen këtë sezon, duke u ngjitur në kuotën e 76 pikëve dhe duke vënë të dyja duart te titulli kampion, ndonëse duhet edhe pak që ta marrin matematikisht atë.

Ky është një rekord absolut për kampionët në fuqi të Europës, që sigurojnë pjesëmarrjen në Champions që në mes të muajit shkurt dhe rreth 3 muaj para se të përfundojë kampionati, ndërsa Klopp mund të qëndrojë i qetë me statistikat e skuadrës së tij.

Kjo pasi Liverpool ka regjistruar 17 fitore radhazi, ka sulmin e dytë më të mirë (61 gola nga 65 që ka shënuar sulmi i City-t) dhe ka mbrojtjen më të mirë me vetëm 15 gola të pësuar, ndërsa skuadra që e ndjek është Leicester që e ka nxjerrë 26 herë topin nga rrjeta.

Nga fillimi i sezonit e deri tani Liverpool ka pësuar vetëm dy humbje, një në Champions përballë Napolit dhe një tjetër përballë Aston Villës në Carabao Cup, ku luajtën me skuadrën e të rinjve, për shkak të angazhimit në Botërorin për Klube.

Megjithatë duke qenë se tani fillon pjesa më e vështirë e sezonit, Liverpool mund të mbyllë shumë shpejt llogaritë me titullin kampion, pasi në rastin më të keq i duhen vetëm 15 pikë për të nisur festën dhe për t’u përqendruar në Ligën e Kampionëve.