Liverpuli parakalon Mançesterin, Njukasëll shpërdoron ndaj Bornmuth

24.02.2018 20:19:34

Liverpooli vijon me ecurinë pozitive, teksa pasditen e sotme ka mposhtur me rezultatin e thellë 4-1 West Ham United-in. Të kuqtë zhbllokuan rezultatin në pjesën e parë me anë të mesfushorit turko-gjerman, Emre Can, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, Salah dhe Firmino shënuan 2 gola të shpejtë, duke hipotekuar rezultatin.

Antonio ngushtoi përkohësisht shifrat për West Hamin, por Sadio Mane shënoi më pas edhe golin e 4-t, duke bërë që 3-pikëshi të mbetet i Liverpoolit. Me këtë fitore, skuadra e Klopp parakalon në renditje Manchester Unitedin dhe përkohësisht mban vendin e dytë, me 57 pikë.

Ndonëse krijoi avantazhin e dy golave në pjesën e parë, Newcastle nuk arriti të dalë me 3 pikë nga transferta në Bournemouth, pasi vendasit u rizgjuan në pjesën e dytë dhe arritën të barazojnë rezultatin në 2-2.

Në sfidat e tjera, Brighton mposhti Swansean me rezultatin 4-1, Burnley ndau pikët me Southamptonin pas barazimit 1-1 dhe West Brom u dorëzua në shtëpi ndaj Huddersfieldit, duke humbur 1-2.