Lladrovci premton 70 milionë euro investime dhe ngrohtore për Drenasin

30.11.2016 18:20:42

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një intervistë për Infomagazine në Klan Kosova, ka thënë se plani i tij është që t’i bindë qytetarët të dalë në votime dhe në mandatin e tij 5 vjeçar ka garantuar se do t’i investojë 70 milionë euro në Drenas.

“Kjo shumë është e vogël për Drenasin, sepse kam mbështetjen edhe të kryetarit Kadri Veseli dhe gjithë kryesisë së PDK-së, qeverisë dhe deputetëve”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka thënë se PDK-ja në Drenas dhe Drenicë është fuqi dhe të gjithë qytetarët dhe madje edhe iniciativat e ndryshme qytetare po e përkrahin, përfshirë këtu edhe iniciativën e Izet Ibrahimit për Drenasin.

Lladrovci ka thënë se PDK-ja është më e fort se asnjëherë më parë dhe në të tash është anëtarësuar edhe gjithë struktura e Vetëvendosjes në Drenas.

“Ata zëra që thonë se Drenasi nuk është i PDK-së, janë zëra të humbur dhe të vegjël”, ka thënë Lladrovci.

Për rivalët e tij, Lladrovci ka thënë se i respekton, por nuk i sheh si konkurrentë.

Ndërsa, 70 milionë euro, ai ka thënë se do t’i investojë në infrastrukturë rrugore, kanalizime, arsim shëndetësi e bujqësi, porse do ta përgatisin edhe parkun industrial dhe 82 mijë hektarë tokë të tij për investime të huaja dhe vendore.

Lladrovci ka premtuar se gjatë mandatit të tij 5 vjeçar, Drenasi do të bëhet me nxemje qendrore.

Është një projekt i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për 6 komuna, por prioritet i saj fillimisht do të jetë Drenasi.

“Qytetarët do të bëhen me ngrohtore qendrore nga Feronikeli. Në mandatin 5 vjeçar do ta kenë nxemjen qendrore”, ka thënë Lladrovci.