Loja e dyfishtë e Serbisë, si përpjekje për të përfituar lëshime edhe nga BE, edhe ng Rusia*

10.10.2016 22:17:59

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë mediat serbe kanë bërë publik lajmin se presidenti Putin ka kërkuar nga Serbia që të paguajë borxhin 200 milionë  euro deri në mars të vitit të ardhshëm, përkatësisht 50 milionë në muaj. “Kurir” shkruan se “Presidenti rus kërkon urgjentisht pagesën e borxhit, sepse nuk është i kënaqur që pala serbe po shqyrton rritjen e tatimeve, rentën minerare dhe privatizimin e INS-së ( Industria e Naftës së Serbisë – vër. Ime).”, e që do të thotë se pakënaqësia e Putinit ka të bëjë me aspekte të natyrës ekonomiko-fiskale, e që janë normale në marrëdhënie ekonomike. Po a janë këto arsye të pakënaqësisë së Putinit me Serbinë? Natyrisht se këto mund të jenë vetëm arsye formale, krahasuar me arsyet më të thella dhe që shkojnë përtej arsyeve ekonomike, pasi që marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë kanë qenë dhe janë marrëdhënie shumëplanëshe, shumëdimensionale dhe me themele të forta në origjinën e përbashkët sllavo-ortodokse. Në këtë kuptim 200 milionë euro për shtetin rus nuk kanë qenë dhe nuk janë ndonjë shumë domethënëse që mund të ndikojë në ekonominë ruse. Edhe aspektet e natyrës fiskale, siç është politika e rritjes së tatimeve, apo e rentës për INS-në, nuk paraqesin ndonjë problem për Rusinë. Prandaj arsyet e pakënaqësisë së Putinit me Serbinë duhet kërkuar në shumë aspekte të natyrës ekonomike dhe gjeopolitike, e të cilat mund të kenë bërë që Putin të mos përmbahet. Duhet të kujtojmë se në mes të tetorit, Serbia mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Mjedisit (ECOFair), në të cilin ajo mori përsipër që të angazhohej seriozisht në mbrojtje të mjedisit. Por ajo që është më e rëndësishme, e që mund të jetë një nga arsyet e pakënaqësisë së Putinit, mund të jetë kjo thënie e Svetlana Duvnjakut: “INS mund ta përdorë përvojën e saj që të ndihmojë autoritet shtetërore që të përgatitet për negociatat me BE-në. Shpresojmë që të vazhdojmë të nxisim bashkëpunimin me autoritetet relevante shtetërore në rajon.”, pasi që kjo është një deklaratë e natyrës politike që ka të bëjë edhe me kontekstin gjeopolitik që mund të ketë nxitur te Putini ndjenja të pakënaqësisë dhe të pezmit. E them këtë pasi që edhe gjatë vizitës në Beograd, Putinit i ishte bërë e qartë se Serbia ishte e orientuar kah integrimet evropiane. Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Vuçiq, po gjatë vizitës së Putinit në Beograd me rastin e 70 vjetorit të çlirimit, i kishte shprehur interesimin për rritjen e eksporteve të mallrave serbe në Rusi, sidomos ato të mishit të derrit dhe të automobilave. Diskutimet e Vuçiqit me Putinin për aspekte të bashkëpunimit ekonomik ishin në vazhdën e diskutimeve që ishin bërë edhe gjatë vizitës së Vuçiqit në Moskë në korrik të këtij viti kur, përveç takimit me Putinin, ai ishte takuar edhe me kryeministrin e Rusisë, Medvedev. Mirëpo, gjatë asaj vizite, Vuçiq dhe zyrtarët më të lartë të shtetit rus, nuk kishin diskutuar vetëm për çështje ekonomike, por edhe për çështje të natyrës diplomatike dhe gjeopolitike që ishin dhe janë tepër shqetësuese, siç është ajo që ka të bëjë me angazhimet e Rusisë në zhvillimet rajonale, sidomos në Ukrainë. Ajo që kishte shqetësuar Evropën dhe SHBA-të, ka qenë deklarata e Vuçiqit në takim me Medvedev, sipas të cilës “Serbia është treguar si mik dhe nuk ia ka kthyer shpinën Rusisë në momente të vështira, për dallim nga shumë të tjerë, e që tregohet në vepra e jo në fjalë” (http://mondo.rs/a707924/Info/Srbija/Vucic-u-Moskvi-Ne-napustamo-Rusiju-ni-kad-je-tesko.html), e që ka të bëjë edhe me zhvillimet në Ukrainë, dhe për të cilat Vuçiq i kishte dhënë përkrahje të plotë angazhimeve të Rusisë atje. Në këtë kontekst, Evropën dhe SHBA-të, po ashtu, i kishte shqetësuar fakti se Serbia nuk ishte bashkuar në sanksionet që ia kishin vendosur Rusisë pikërisht për rolin e saj në Ukrainë, edhe pse shteti serb ka hapur negociatat për anëtarësim në BE. Qëndrimet e shtetit serb ndaj Ukrainës dhe rolit të Rusisë në zhvillimet atje, e që janë qëndrime të ndryshme nga ato të BE-së dhe të SHBA-së, si dhe aspiratat e tij për anëtarësim në BE, tregojnë për një pozitë në dukje kundërthënëse, pasi që edhe do që të integrohet në BE, edhe do që të mos bashkohet me qëndrimet europerëndimore ndaj Rusisë. Dhe në gjithë këto zhvillime, Industria e Naftës e Serbisë, është një nga sferat ku po shfaqet pesha e gjithë këtij qëndrimi dualist të Serbisë, pasi që kjo industri është 21% pronë e shtetit serb, kurse 79%, pronë e rusëve. Thelbi i problemit është se Rusia ka synuar që ta përdorë Industrinë e Naftës së Serbisë për të realizuar një linjë gazsjellësi me të cilën do të mund të zvogëlonte rëndësinë e linjës së gazsjellësit TAP, e që përfshin edhe shtetin shqiptar. Dhe këtë synim të Rusisë nuk e fshehu dot as deklarata e Medvedevit gjatë vizitës së Vuçiqit në Moskë, ku pat thënë se “Rrjedha e jugut (linja e gazsjellësit nga Rusia në Serbi – vër. ime) është një projekt kyç për Evropën dhe Serbinë, dhe nuk duhet të politizohet”, pasi që është vetë shteti rus që gjatë viteve ka treguar se e përdor gazin natyror për të shantazhuar Evropën për lëshime të ndryshme qoftë në rajon, qoftë edhe në raportet gjeopolitike botërore. Dhe interesi i Rusisë për linjën e gazsjellësit nga Rusia në Serbi u rrit pikërisht kur u shfaq projekti i gazsjellësit TAP, dhe i cili do ta zvogëlonte shumë rëndësinë e gazsjellësit aktual që kalon nëpër Ukrainë për në Evropë, e që është një nga arsyet kryesore për angazhimin e Rusisë në Ukrainë, e që janë arsyet reale të konflikteve në këtë shtet, e jo atë që kanë të bëjnë thjesht me të drejtat e rusofolësve atje. Përballë, mundësisë që të realizohet projekti i gazsjellësit TAP, dhe zvogëlimit të rëndësisë së gazsjellësit aktual nga Rusia për në Evropë, shteti rus i ka bërë trysni Serbisë për realizuan sa më shpejt këtë linjë. Në fakt, linja e gazsjellësit nga Rusia në Serbi, është vetëm një formë e realizimit të vijës gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Det Adriatik që ka për qëllim të rrisë kontrollin rus mbi Evropën dhe mbi Mesdheun. Dhe këto synime shkojnë përtej synimeve dhe natyrës ekonomike, por janë thjesht arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike, dhe si të tilla paraqesin edhe një lojë të dyfishtë të Serbisë në raport me BE-në e SHBA-të në njërën anë, dhe Rusisë në anën tjetër. Dhe kjo lojë e dyfishtë e Serbisë bëhet kryesisht për përfitime të shumta edhe në raport me negociatat për anëtarësim në BE, edhe për aspiratat e saj në rajon. Nëpërmjet një loje të dyfishtë, Serbia po provon që të përfitojë lëshime nga BE-ja, për shkak se një nga kushtet që BE i ka vendosur asaj është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Dhe lëshimi që mund të presë Serbia  mund të ketë të bëjë me lëshime të tjera gjatë negociatave me Kosovën, si dhe përshpejtim të procesit negociator për anëtarësim në BE. Në kontekstin më të gjerë rajoanl, Serbia mund të kërkojë pozitë më të privilegjuar në rajon, s dhe marrëdhënie të veçanta me BE-në, por edhe me SHBA-të. Në anën tjetër, çdo lëshim nga BE dhe SHBA, ta përdorë për të përfituar lëshime nga Rusia. Dhe kjo lojë e dyfishtë e Serbisë, duket se i ka dhënë rezultat, pasi që përkundër të gjithave, Putin duke u përshëndetur me Vuçiqin në aeroport, i kishte thënë këtij të fundit: “i dashur mik, çkado që të mund të kërkosh nga Rusia për vendin tënd, do të kujdesem personalisht që edhe ta fitosh atë.”. Në anën tjetër, për të shuar shqetësimet e perëndimorëve, Vuçiq ishte kujdesur vetë që të bisedonte me kancelaren gjermane, Merkel dhe me zëvendëspresidentin amerikan, Xho Bjaden. Me kancelaren Merkel kishte biseduar edhe për vizitën e mundshme të Edi Ramës në Beograd, por sigurisht edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare e Gjeraninë dhe me BE-në. Dhe është shqetësues fakti se nuk u dhanë detaje të tjera të bisedës telefonike me kancelaren Merkel, dhe nuk dihet se a mund të ketë kërkuar ndonjë lëshim apo privilegj në dëm të shqiptarëve. Siç dihet, biseda telefonike me kancelaren Mmerkel, por edhe me zëvendëspresidentin amerikan, Xho Bajden, është zhvilluar jo vetëm në kontekst të vizitës së presidentit rus, Putin, dhe jo vetëm në kontekst të vizitës së mundshme të Edi Ramës në Beograd, por edhe në kontekst të ngjarjeve në ndeshjen Serbi – Shqipëri. A mund të ketë biseduar Vuçiq edhe me kancelaren Merkel edhe për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”, përkatësisht për “rrezikun” që paraqet ajo? E them këtë, pasi që ka qenë pikërisht kjo çështje që Vuçiq ka biseduar me Xho Bajden, nga i cili në ëynrë aspak diplomatike kishte kërkuar që të deklarohej pro ose kundër “Shqipërisë së Madhe”. Gjithsesi, loja e dyfishtë e Serbisë me BE-në dhe Rusinë, si dhe toleranca e vërejtur te shtetet evropiane, kishte bërë që SHBA-të të dërgonin në Ballkan Kristofer Marfin, kryetarin e Nënkomisonit për Çështje Evropiane në kuadër të Komisonit për Politikë të Jashtme, për të kërkuar bashkimin e aleatëve evropiane, anëtarëve të NATO-s nga Ballkani dhe partnerë të tjerë përballë synimeve ruse për zgjerim. Dhe gjatë kësaj vizite, senator Marfi kishte vizituar edhe Beogradin. Dhe gjatë vizitës në Beograd, senator Marfi ia kishte tërhequr vërejtjen kryeministrit të Serbisë, Vuçiq, pikërisht për linjën e gazsjellësit Rusi – Serbi. Kur të kihet parasysh kjo, si dhe deklarata e Svetlana Duvnjakut në Panairin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ambientit (ECOFair), sipas së cilës : “INS mund ta përdorë përvojën e saj që të ndihmojë autoritet shtetërore që të përgatitet për negociatat me BE-në. Shpresojmë që të vazhdojmë të nxisim bashkëpunimin me autoritetet relevante shtetërore në rajon.”, por edhe biseda telefonike me kancelaren Merkel, dhe zëvedëspresidnetin amerikan, Xho Bajden, mund të jenë arsyet e vërteta që e kanë bërë Putinin të dyshojë se Serbia po shkon kah Perëndimi, dhe po largohet nga Rusia. Dhe ky dyshim mund të jetë i fortë, përkundër deklaratave të Vuçiqit se Serbia nuk da ta braktisë Rusinë edhe kur është vështirë. Prandaj po përdor faktin që rusët kanë 79% të pronësisë në INS që të bëjë trysni mbi Beogradin që të mos shkojë kah Perëndimi. Në anën tjetër, edhe Perëndimi po shqetësohet për faktin se rusët kanë 79% të pronësisë së INS-së, dhe mos po e përdorin këtë për të ndërtuar vijën e gazsjellësit Rusi – Serbi. Në gjithë këto shqetësime, pesha gjeopolitike e Serbisë ka arritur maksimumin dhe duket se po synohet të përkthehet në përfitime edhe nga BE-ja, edhe nga Rusia. Në këtë përfitime, shqiptarët do të ishin më të humburit, pasi vendet evropiane, historikisht kanë qëndruar afër interesave të serbëve. Rikthimi i SHBA-ve në Ballkan, ashtu edhe siç ka këshilluar senator Marfi, është i domosdoshëm…

*Ky shkrim është botuar më 2 nëntor 2014