Lojërat e fatit po organizohen jashtëligjshëm, arrestohen edhe dy persona në Viti

03.07.2019 17:05:43

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit ka mobilizuar organizimin e jashtëligjshëm të këtyre lojërave.

Policia tash e sa kohë nëpër lokacione të ndryshme po hasë në aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe së fundmi kjo ka ndodhur në Viti.

Njësiti i Policisë kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar dy persona në Viti për organizimin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit, ku janë bastisur 12 lokacione.

“Si dëshmi relevante në lokacionin ku është arrestuar e dyshuara e parë, janë konfiskuar: pesë  shtëpiza kompjuteri, një  printer që ka shërbyer për lojëra të fatit ‘Keno, Racing Dogs dhe Bastore’, kurse në lokacionin ku është arrestuar i dyshuari i dytë janë konfiskuar: dy shtëpiza kompjuteri, një printer që ka shërbyer për lojëra të fatit ‘Keno dhe Racing Dogs’.” thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Vlen të theksohet se me vendim të prokurorit kujdestar që të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.