Lojërat tribale me vazhdimin e negociatave në Bruksel si formë për bllokimin e institucioneve

30.04.2017 18:03:19

Nga Rexhep Kastrati

Pezullimi, suspendimi apo edhe ndërprerja e negociatave në Bruksel kishte qenë kërkesë e vazhdueshme e partive të ndryshme, e shprehur hapur nga partitë opozitare, kurse Serbia kishte krijuar disa herë pretekste për të mbështetur këtë kërkesë. Interesi i Serbisë ishte dhe vazhdon të jetë i madh që Kosova t’i ndërpresë negociatat në Bruksel, sepse në këtë mënyrë do të shmangej rruga diplomatike e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, dhe hapej rruga për zgjidhje të tjera, përfshirë edhe destabilizimin, konfilktin dhe luftën që domosdoshmërisht do të shkaktkonte gjakderdhje dhe rikonfigurim të rajonit sipas hartave dhe projekteve të hershme të qarqeve shoveniste kundrshqiptare dhe aleatëvetë tyre. Po ashtu, ndërprerja e negociatave nga ana e Kosovës, do ta bënte atë përgjegjëse për këtë, si dhe do të provokonte reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, pra edhe nga aleatët tanë strategjikë që këto negociata ii shohin si mënyrë për të shmangur pikërisht destabilizimin, konfliktin dhe luftën.

Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, në kohën kur ishin konsumuar shumë forma të dhunshme, anarkiste dhe tribale, dhe kur ishte deklaruar thuajse në mënyrë të njëzëshme nga Serbia, Rusia, PDK dhe partitë opozitare kërkesa programatike për rrëzimin e Qeverisë, ishte pikërisht veprimi që do t’i hidhte benzinë zjarrit dhe do ta bënte të pashmangshme edhe imponimin për pezullimin e negociatave. Dhe kjo ishte një fitore e madhe për forcat kundërshtetërore dhe kundërkombëtare si dhe një fitore e Serbisë ndaj Kosovës. Miratimi i rezolutës në Kuvendin e Kosovës me të cilën vazhdimi i negociatave në Bruksel kushtëzohej me lirimin e Ramush Haradinajt, edhe pse në pikëpamje të patriotizmit emocional dhe të tribalizimit politik, një gjest “force”, megjithatë u bë frymëzim për forcimin e tribalizimit politik në dëm të institucioneve. Pas kësaj rezolute, edhe PDK mori guximin që të hapë letrat dhe të nxjerrë veten si të interesuar për rrëzimin e Qeverisë, duke e ndërlidhur me demarkacionin e negociuar nga kryetari i saj, Hashim Thaçi dhe e nënshkruar po nga ai.

Ndërlidhja e qëndrueshmërisë së Qeverisë me demarkacionin, e nxjerr edhe më zbuluar karakterin spekulativ dhe kalkulativ të ndalimit, e më pas edhe të lirimit të Ramush Haradinajt, sepse ndalimu u bë pikërisht në kohën kur ishte deklaruar përparësi dhe qëllim programatik i Serbisë, dhe i partive opozitare  rrëzimi i Qeverisë, dhe u lirua kur ka një trysni të fortë ndërkombëtare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, në kohën kur ky shtet miratoi në Kuvend anëtarësimin në NATO dhe kur tashmë janë rritur fort angazhimet tjera për rrëzimin e Qeverisë.

Angazhimi i papenguar politik i Ramush Haradinajt nga Colmar i Francës në funksion të forcimit të tribalizimit politik, të angazhimeve për rrëzimin e Qeverisë dhe për destabilizimin e vendit, u qartësua edhe më shumë kur Ramushi, me t’u liruar, deklaratën e parë që bëri ishte pikërisht rrëzimi i Qeverisë dhe zgjedhjet. Në këtë mënyrë bëri të qartë se edhe ndalimi e lirimi i tij ishte bërë për qëllime kundërinstitucionale dhe zgjedhore, e që vazhdoi me fushatën zgjedhore të bërë me vizitën te varri i presidentit Rugova dhe me gjithë aktivitetet tjera.

Tashmë kur Ramushi është liruar dhe kur është demaskuar ndalimi i tij si veprim për arsye kundërinstitucionale dhe elektorale, ndërkaq, ka një përpjekje tjetër që të mos marrë fund pezullimi i negociatave në Bruksel, edhe pse me rezolutë, këto negociata ishin pezulluar derisa të lirohet Ramushi. Madje, AAK ia ka dhënë vetes kompetencën që të diskutojë dhe të pretendojë të marrë vendim lidhur me vazhdimin e negociatave, duke e stërkeqë edhe motivin  për pezullimin e tyre. Me këtë, AAK vetëm sa po e thekson tribalizimin politik që e kishte shpërfaqë hapur Pal Lekaj kur kishte deklaruar se Ramushi ishte arrestuar se ishte i vetmi që mund t’ia ndalte turrrin Serbisë, pastaj me një gjoja polemikë në distancë ndërmjet Vuçiqit dhe Daut Haradinajt, dhe tash së fundi pikërsisht edhe me çështjen e vazhdimit të negociatave.

Të gjitha këto po mëtojnë të bartin aktivitetin shtetëror-institucional, në aktivitet dhe vendimmarrje partiake-jashtinstitucionale, pra tribale, me qëllim që të defaktorizojnë institucionet e shtetit, si një formë tjetër e bllokimit të tyre dhe të nevojës për rrënimin e tyre.

Duket se tashmë trysnia politike tribale ndaj institucioneve të shtetit për t’i vënë spica procesit negociator në Bruksel, për të futur Qeverinë në konflikt me Brukselin dhe për ta vështirësuar edhe më shumë liberalizimin e vizave, do të jetë një nga format e trysnisë politike tribale.