Lotaria Amerikane, Ambasada Amerikane këshillon shqiptarët

20.10.2019 11:59:28

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vjen në ndihmë qytetarëve shqiptarë që duan të aplikojnë për lotarinë amerikane me këshilla herë pas here. Sot ajo ka publikuar një video me anë të të cilës tregon disa hapa që duhen ndjekur para se qytetarët të aplikojnë për lotarinë amerikane.

“Po mendoni të aplikoni për Lotarinë Amerikane 2021? Përpara se të aplikoni, shihni këtë video në shqip që ju tregon të gjitha hapat”, shkruan Ambasada e SHBA.

Çdo vit ka shumë shqiptarë që aplikojnë për Lotarinë Amerikane, por për të shmangur gabime të mundshme nga aplikuesit, Ambasada Amerikane në faqen e saj zyrtare në Facebook, këshillon qytetarët shqiptarë, sesi duhet të veprojnë.

*Disa nga kriteret për aplikimin e lotarisë amerikane*

Ju duhet të plotësoni ose 1. Kërkesën e arsimit të mesëm me kohë të plotë

ose: 2. Një përvojë pune që kualifikohet sipas O*Net OnLine.

Fillimisht ju duhet të nxirrni nga një fotografi digjitale për ju, bashkëshorten tuaj dhe fëmijët tuaj me përmasa 600×600 piksel, më të vogël se 240 kb.

Ju mund t’i kërkoni fotografit që t’jua përgatisë fotografinë në përmasat e duhura dhe t’jua ruajë në një disk. Kujdes, hiqini syzet kur të dilni në fotografi.

Si të aplikoni për programin e Lotarisë.

Ju duhet të keni gati paraprakisht këtë informacion: Mbiemri, emri, data e lindjes, gjinia, qyteti dhe shteti ku keni lindur, pasaportë të paskaduar, fotografinë tuaj të nxjerrë në 6 muajt e fundit, adresën tuaj postare, vendin ku jetoni sot, numrin e telefonit, adresën e e-mailit, nivelin tuaj më të lartë të arsimit që keni arritur deri më sot, gjendjen tuaj civile aktualisht, numrin e fëmijëve nën moshën 21 vjeç dhe të pamartuar në ditën e dorëzimit të regjistrimit tuaj; jepni të njëjtin informacion bashkëshorten tuaj.