Loti i mërgimtarit/ vargje nga Anita Hoxha

26.03.2021 21:29:56

Loti i mërgimtarit

Më prit në aeroport, o taksixhi,
Viteve gjatë kthehem në atdhe,
Në shtëpinë e vjetër nuk më pret njeri,
Të gjithë si dallendyshet janë botës atje.
Mos u trishto, kur të më shohësh
Mes thinjave rri fshehur ,gjithë rinia
Njerëzve do kërkosh, s’do më njohësh
Janë vyshkur larg, pranverat e mia !
Kur të mbërrijë atje, në shtëpinë time
Lermë o mik, të shkrehem në lotë…
Mbi mur, më pret foto e nënës sime,
Vite më parë më iku nga kjo botë !
Kordelja e motrës mbi pasqyrë,
Bastuni i babait, atje rrëzë murit…
Lërmë erën të më fryjë në fytyrë,
Se loti do rridhte dhe prej gurit !
Hapa që shkojnë e kthehet në dritë,
Zhurma dëgjohen, netëve në qetësi
Prindërit të përjetshëm, u kthyen në shpirt,
Duket më thonë : – U ktheve përsëri !
Shikoj nëpër foto, e imja fëmijëri,
Thirra me forcë, të degjoi dynjaja :
Kur n’shtëpinë e prindërve s’të pret njeri,
– Më thuaj o mik, a ka vlerë paraja ?