Löw: Götze ka dhunti, mund të bëjë diferencën

20.02.2017 16:37:22

Mario Götze ka vuajtur për tre vite te FC Bayern dhe kjo histori po përsëritet edhe te Borussia Dortmund. Mesfushori ka luajtur vetëm 24 minuta në vitin 2017, teksa ka pasur edhe probleme muskulare. Ai ende nuk e ka fituar besimin e trajnerit Thomas Tuchel, por të paktën vazhdon të ketë mbështetjen e trajnerit të Gjermanisë, Joachim Löw. I pyetur nga “Kicker”, kampioni i botës tha se “Mario mund të bëjë diferencën”.

56-vjeçari shtoi se Götze nuk do të dorëzohet, sepse punon fort. “Gjendja e tij aktuale te Borussia nuk është e lehtë, por unë e di se ai ka një ambicie të jashtëzakonshme dhe është tërësisht i përqendruar te futbolli. Ai stërvitet fort. Me ne ai luan shumë mirë dhe kjo është e rëndësishme për mua. Edhe kur nuk është në formën e tij më të mirë me klubin, unë e di se ç’mund të bëjë për ne.”

Götze po lufton me kohën për të qenë gati për ndeshjen e dytë në Champions League kundër Benfica-s. Verdhezinjtë janë mposhtur 1-0 në Portugali. 24-vjeçari është ai i cili “shpëtoi” Gjermaninë në finalen e Botërorit 2014, por së fundmi nuk e ka parë veten si sulmues. Gjithsesi, Löw ende ka besim tek aftësitë ofensive të lojtarit të tij. “Ai nuk është një sulmues klasik, por një përfundues aksionesh. Ai shënon ndaj kombëtareve të mëdha, ka dhuntinë për të shënuar në nivelet më të larta. Këtë s’e bën kushdo.” Burimi:/telesport.al/